Saranda, paketa 20% më të lira se një vit më parë

0
143

“Saranda për herë të parë me paketa turistike 20% më lirë”, tha sot kryetari i bashkisë Sarandë, Ardian Gurma, ndërsa ftoi qytetarët të vizitojnë qytetin bregdetar.

Gurma sqaroi se Minisitria e Shëndetësisë, Ministria e Turizmit dhe ekspertët e tyre kanë hartuar një draftprojekt në lidhje me protokollin e masave ndaj COVID-19 për sezonin turistik e në vazhdim.

Ai tha se “realisht ky është në fazën e një drafti dhe ne e kemi bërë të ditur me këtë draft-protokoll dhe ne ditët në vijim në bashkëpunim të ngushtë edhe me grupet e interesit dhe operatorët turistik ku do japin mendimet dhe opinionet tona në mënyrë që ky projekt të kalojë nga draft në protokoll normal masash”.

Në lidhje me njohjen e draftit, Gurma tha se “jemi në këtë fazë të njohjes së draftit dhe do hymë në fazën e diskutimeve me aktorët e tjerë dhe grupet e interesit për të dhënë mendimet tona që drafti të marrë formën përfundimtare dhe me hapjen e sezonit turistik të vihet në zbatim”.

Në lidhje me hapjen e sezonit turistik, Gurma tha se nëse do ishte në dëshirën tonë do donim sa më shpejt ashtu siç është hapur çdo vit në 15-ditëshin e parë të majit. Por, sipas tij, java e dytë dhe e tretë e majit ështe periudha më e përshtatshme për hapjen e sezonit turistik. Sigurisht jemi në një situatë të vështirë dhe nuk varet nga dëshirat tona, por gjykoj dhe mendoj që të paktën bashkia e Sarandës është në brezin e bashkive të gjelbra dhe kjo ditë nuk do jetë e larg. Falë këtyre masave që kemi marrë por dhe të ndërgjegjësimit të qytetarëve jemi më para krahasuar me bashkitë e tjera”.

Përsa i përket çmimeve, Gurma shtoi se me gjithë dëshirën e mirë për të maksimizuar fitimin nga të gjithë operatorët turistikë, këtu hyn në lojë edhe pushteti lokal me mekanizmat e vet. “Në takimet që kemi bërë kemi marrë një lloj opinion por kemi bërë më shumë rolin e rregulluesit dhe të këshilluesit, por është më mirë të ketë çmime më të mira se vitet e tjera”, u shpreh ai.

Gurma theksoi se Saranda për herë të parë do të jetë me paketa turistike 20% më lirë.

“Ne kemi marrë një farë miratimi, por kemi luajtur edhe rolin e këshilluesit, është më mirë që të operojnë me çmime më të lira se një vit më parë, se kjo i shërbente turistëve vendas, se duke pasur çmime më të lira do të ketë një aksesim më të lartë nga pushuesit. Hotelierët më kanë dhënë të drejtën që ta parashtroj si objektiv që në të gjitha hotelet, paketa do të jetë 20% më e lirë se vitet e tjera. Nisur edhe nga fakti që lëvizja nga shtetet fqinje është në pikëpyetje, ne jemi duke u orientuar drejt paketave vendase, dhe të gjithë operatorët kanë marrë nismën që të funksionojnë me paketa, ndryshe nga vite më parë”, tha Gurma.