Sa kohë mbijeton virusi në sipërfaqe?

0
115

Nga Lul Raka, mikrobiolog

Çfarë ngjashmërie dhe çfarë dallimi kanë gripi dhe koronavirusi?
Të dy viruset prekin rrugët e frymëmarrjes dhe rruga e përhapjes është e njejtë me spërkla, kontakt të afërt dhe prekje të gjësendeve përreth.
Dallimet janë se gripi ka vdekshmëri më të ulët, përhapet më shpejt se COVID-19; inkubacioni i gripit dhe koha e dyfishimit të rasteve është më e shkurtër; gripi ka vaksinë dhe terapi antivirale në dispozicion.
Fëmijët dhe shtatzënat janë kategori që preken shumë më shpesh te gripi sesa te koronavirusi. Koronavirusi mesatarisht infekton më shumë njerëz sesa gripi.

Sa është periudha e inkubacionit për COVID-19?
Periudhe e inkubacionit është koha prej momentit kur futet virusi në trup e deri te shfaqja e shenjave dhe simptomave të para të sëmundjes. Kjo periudhë është prej 1 deri 14 ditë.

Sa kohë mbijeton virusi në sipërfaqe?
Virusi mund të jetojë deri 4 orë në hapësirat me bakër, 24 orë në kuti letre dhe 2-3 ditë në plastikë dhe metal. Përqëndrimi dhe infekcioziteti i tij vjen duke u ulur ndjeshëm me kalimin e kohës.

Cilat janë simptomat e COVID-19?
Simptomat më të zakonshme janë ethet (mbi 37.5°C), kolla e thatë dhe frymëzënia. Disa pacientë mund të kenë edhe dhimbje fyti, rrjedhje hundësh ose barkqitje.

A është kjo sëmundje e rrezikshme?
Shumica e njerëzve (rreth 80%) shërohen nga sëmundja pa pasur nevojë për trajtim të veçantë.