Republika e Kosovës qëndron përkrah SHBA-ve lidhur me shqetësimin për të drejtat e njeriut në Bjellorusi

Republika e Kosovës i bashkohet thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut, drejtuar autoriteteve bjelloruse për t’i dhënë fund dhunës dhe shtypjes, për t’i liruar të gjithë të arrestuarit dhe të burgosurit politikë, për ta respektuar lirinë e medias dhe shoqërinë civile dhe për të filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Me këtë rast, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sh.S. Meliza Haradinaj-Stublla, tha: “Republika e Kosovës qëndron përkrah SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në mbështetjen e qëllimeve paqësore dhe demokratike të popullit bjellorus. Ne kërkojmë nga qeveria e Lukashenkos që t’i lirojë të gjithë personat e ndaluar padrejtësisht, t’i japë fund bllokadës në internet në të gjithë vendin, të zhvillojë bisedime me anëtarët e opozitës politike dhe të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme që duhet të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë”.