Rama do ta tërheqë padinë ndaj Haradinajt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se do ta tërheqë padinë për shpifje që i ka bërë kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Rama këto deklarata i bëri në konferencën për media, e cila përmbyllë vizitën e tij zyrtare dyditore në Kosovë.

“Me padi ose pa padi, Haradinaj për mua është një prej figurave historike dhe ka vendin e vet në histori dhe nuk e lëviz as ai dhe askush tjetër”, u shpreh Rama.

“Haradinaj i kam kërkuar si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta takoj në selinë e tij apo shtëpinë e tij ( si të dëshironte) dhe si paditës që shkon te i padituri, besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën. Për më tepër që doja të diskutoja për këtë çështje, që është shumë më e madhe se unë e Ramushi e shumë më e madhe se Hashim Thaçi e Kadri Veseli e kam njoftuar se nuk do të bëj komunikime në media se do ta tërheqë padinë. Jo se është më e vogël se mua por se kjo është shumë më e madhe”.

“Padia do të tërhiqet zyrtarisht”, u shpreh Rama.

Kjo për shkak të një përplasjeje të mëhershme, rreth idesë së shkëmbimit të territoreve që përfundoi me një padi të kryeministrit të Shqipërisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Haradinajt për shpifje.