Qeveria miraton Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, i hap rrugë tërheqjes së 10 % të kursimeve nga Trusti

0
87
Arkiv
Arkiv

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15-të, ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se përmes këtij Projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.

Sipas Bajramit, përmes plotësimeve të bëra qytetarëve te Kosovës do t’ju mundësohet tërheqja e kursimeve prej 10 për qind nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

“Autorizohet Fondi Pensional i Kosovës dhe fondet tjera që brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij Ligji t’ju mundësohet qytetarëve që t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Kjo tërheqje do të lirohet nga obligimet tatimore”, tha Bajrami.

Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust, rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim dhe mbështetja për punësim janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që janë prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.

Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.