Qeveria miraton Programin e Kosovës për Barazi Gjinore dhe vendimin për inicimin e procedurave për shpalljen muze të ish-Burgut në Prishtinë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese (mbledhje elektronike), mbledhja e 34-të të Qeverisë, në të cilën ka miratuar Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 dhe Planin e veprimit 2020-2022, dhe vendimin për shprehje të vullnetit dhe interesit që Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze.

Pas shqyrtimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024  dhe Planit të veprimit 2020-2022, Qeveria mori vendim për miratim të këtij Programi. Vendimi obligon institucionet e Republikës së Kosovës për zbatim të këtij programi sipas aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit, ndërsa Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e obligon për monitorim të zbatimit dhe për raportim vjetor mbi zbatimin e programit.


Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, e përkufizon barazinë gjinore si një të drejtë themelore dhe një nga faktorët e rëndësishëm për rritjen ekonomike, zhvillimin dhe stabilitetin në shoqëri. Barazia gjinore është edhe një nga parimet fundamentale të të drejtave të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.


Objektivi i përgjithshëm strategjik i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore është sigurimi i barazisë gjinore si një fokus i proceseve transformuese në të gjitha strukturat, institucionet, politikat, procedurat, praktikat dhe programet e qeverisë, agjencive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit të donatorëve. Ky objektiv synohet të arrihet duke punuar në tri drejtime:

·  Krijimin e mundësive të barabarta për të kontribuar dhe përfituar nga zhvillimi ekonomik, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i mirëqenies sociale.

·  Avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit cilësor, shëndetësisë cilësore, gjithëpërfshirjes dhe shfrytëzimit të kapaciteteve njerëzore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe zhdukjen e pabarazisë dhe stereotipeve gjinore;

·  Avancimi i të drejtave për vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi.


Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar edhe vendimin për shprehje të vullnetit dhe interesit që Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze. Me këtë vendim është obliguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Financave dhe Transfereve, dhe në pajtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Institucionet e Kulturës dhe me legjislacionin tjetër në fuqi, të zhvillojë të gjitha procedurat e nevojshme dhe t’i propozojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e këtij Muzeu.​