Qendra ARTPOLIS bëhet pjesë e fushatës “16 ditët e aktivizimit”

0
212

Përmes poezive të performuara nga artiste/ë dhe aktiviste/ë të shumtë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, do të shënojë fushatën globale ’16 Ditë Aktivizim Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’, e cila organizohet çdo vit duke filluar nga 25 Nëntori, në ‘Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës në Familje’ dhe zgjatë deri më 10 Dhjetor, në ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’.

Radio KFOR-i ka kontaktuar përgjegjësen e Marrëdhënieve me Publikun në Artpolis, Znj. Venera Ismaili, e cila tha: “Fushata ‘16 ditë të aktivizmit’, do të mbulohet me poezi të performuara nga artistet/ët dhe aktivistet/ët nga Kosova, me interpretimet e tyre fantastike të poezive të autoreve/ëve të ndryshëm. Përmes artit, Artpolis si çdo herë inspiron, fuqizon dhe ndërgjegjëson rreth temave që na preokupojnë sepse kjo është një mënyrë e veçantë dhe e vetmja që përfshinë një publik divers. Për 16 ditë, përmes videove të postuara në Facebook, ne do të përçojmë emocione nga më të bukurat artdashësve dhe jo vetëm.”

Ismaili tutje tregoi edhe emrat e të artisteve/ëve që do të përfshihen në këtë fushatë dhe ata janë: Altina Kusari, Aurita Agushi, Arlinda Morina, Bibi Qena, Donika Ahmeti, Driada Matoshi, Edlir Gashi, Gili Hoxhaj, Ilire Vinca, Ilire Zajmi, Maylinda Kosumovic, Melihate Qena, Nora Prekazi, Qëndresa Kajtazi, Rajmonda Ahmetaj, Sibel Halimi, Sheqerie Buqaj, Teuta Gashi, Uresa Ahmeti, Xhejlane Tërbunja dhe Zana Hoxha.