Pse rajonet spanjolle ndaluan pirjen e duhanit në rrugë dhe vende publike?

0
33

Rajoni i Galicisë, një komunitet autonom në Spanjën veri-perëndimore, ndaloi pirjen e duhanit në vende publike, përfshirë këtu edhe rrugët, pas shqetësimit për rritjen e transmetimit të Covid-19.

Rajoni publikoi një rregullore që ndalon pirjen e duhanit në rrugë, vende publike, si bare dhe restorante, nëse distanca sociale nuk është e mundur. Rajoni i Galicisë ishte i pari që prezantoi një masë të tillë, i ndjekur nga Ishujt Kanarie.

Duke qenë se Spanja është vendi me nivelin më të keq të infeksioneve të Covid-19 në Europën perëndimore, parashikohet që një masë e tillë të ndërmerret edhe për Madridin, Andaluzinë dhe Valencian. Në qershor, në Spanjë raportoheshin më pak se 150 infeksione të reja çdo ditë, ndërkohë që së fundmi, numri i të infektuarve është më shumë se 1,500 në ditë.

Ndalimi i pirjes së duhanit në ambiente publike mbështetet te hulumtimet se kur nxjerrin tymin, njerëzit nxjerrin edhe koronavirusin dhe ka gjasa që të transmetojnë më shumë dhe më shpejt Covid-19. Gjithashtu pirja e duhanit sjell mospërdorim të maskës, gjë që përkthehet në rritje të numrit të të infektuarve./AnabelMagazine