“Prishtina Ecë” aplikacioni që shpalosë historinë e Prishtinës me tregime e pamje

0
169

Për të gjithë kuriozët, që rrugët e Prishtinës i shëtisin duke hamendësuar për kohët e vjetra, tashmë ekziston një mënyrë tejet e thjeshtë dhe atraktive për të mësuar më shumë rreth historisë së qytetit pa lum, ose sikur quhej në periudhën jugosllave “Qyteti Hero”.

Bëhet fjalë për një aplikacion i cili quhet “Prishtina Walks” apo “Prishtina Ecë”. Në epokën e telefonave të mençur dhe gjithë lehtësimet që i kanë bërë jetës së njeriut, tani mund të instalohet një aplikacion mjaft interesant për të mësuar më shumë rreth vendeve historike të Prishtinës, shkruan Ndërtimi.info.

Ideja e këtij aplikacioni qëndron prapa krijimit të një platforme që njëjtë e ndërton njohurinë mbi historinë, trashëgiminë, arkitekturën lokale duke u bazuar në përvojat dhe kujtesën e banorëve të qytetit të Prishtinës mbi qytetin e tyre. Gjithashtu, është një platformë ndryshe nga intervistat e gjata, pasi përmban edhe video-rrëfime të shkurta dhe përcillet me fotografi dhe tekste të hulumtuara mbi lokacione të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, arkitekturore dhe historike.

Për këtë na rrëfeu Erëmirë Krasniqi nga Oral History Kosovo, që ka meritën për krijimin e këtij aplikacioni.

Arkivi digjital i cili është i qasshëm për publikun e gjerë i Iniciativës për Histori Gojore, që në publik njihet si Oral History Kosovo, përmban një numër të madh të intervistave të gjata me individë me prapavijë të ndryshme profesionale, por edhe që janë anëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë.

“Ideja ka qenë që të krijojmë një platformë që njëjtë e ndërton njohurinë mbi historinë, trashëgiminë, arkitekturën lokale duke u bazuar në përvojat dhe kujtesën e banorëve të qytetit të Prishtinës mbi qytetin e tyre. Po ashtu, kemi dashur të krijojmë një platformë që ndryshe nga intervistat e gjata, përmban video-rrëfime të shkurta dhe përcillet me fotografi dhe tekste të hulumtuara mbi lokacione të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, arkitekturore dhe historike”, tregon Krasniqi.

Aplikacioni i cili është iniciuar në shtator të vitit 2018 dhe është një projekt hulumtues një vjeçar mbi Prishtinën dhe pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, i financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë.

Për të arritur rezultatet e dëshiruara në përfundimin e aplikacionit, Krasniqit tregon se puna ka kaluar nëpër disa faza. Faza e parë, sipas Krasniqit, ka qenë ajo e hulumtimit, ku kanë intervistuar afër tridhjetë individë të moshave të ndryshme që kanë kujtesë mbi Prishtinën, që ju kujtohet si ka ndryshuar dhe është ndërruar qyteti i ri modern i pas Luftës së Dytë Botërore.

Intervistimi ka qenë stadi i parë i dokumentimit dhe mënyrë e hartimit të kujtesës së qytetit nga perspektiva e qytetarëve të saj. Gjithashtu, kanë konsultuar arkivin e tyre, pra, të Oral History Kosovo, pasi që arkivi i tyre tashmë i ka mbi njëqind intervista dhe një numër i konsiderueshëm i tyre është me qytetarë të Prishtinës.

“Të gjithë të intervistuarit/at kanë ndarë me neve arkivat e tyre fotografike private, por po ashtu kemi konsultuar arkivat publike. Të gjitha fotografitë nga periudhat e ndryshme, personale në kualitet, janë përdorur për të ndërtuar rrëfimin e qytetit. Ndërsa, intervistat e gjata janë arkivuar në arkivin digjital www.oralhistorykosovo.org, dhe po ashtu janë edituar video-rrëfimet të shkurta mbi qytetin prej 1-3 minuta. Nga këto materiale kemi zhvilluar aplikacionin, arkitektura e së cilës akomodon video, audio dhe tekst. Përndryshe, aplikacioni është shumëgjuhësh dhe mirëpret kontributet dhe sugjerimet nga përdoruesit”, shprehet Krasniqi.

Aplikacioni përbëhet prej katër rrugëtimeve tematike: Nga “a la Turka në a la Franga”; “Me asfalt drejt progresit”; “Të ‘90-tat e gjata”; “Peisazhe të kujtesës”, të cilat gjithsej përmbajnë tetëdhjetë e katër pika të interesit të mbështetura nga njëqind e dhjetë video të shkurta që zbulojnë qytetin nga perspektiva e qytetarëve. Secili rrugëtim ofron përvoja të thelluara të zbulimit dhe mësimit që ushqejnë kureshtjen për kulturat, historitë lokale dhe arkitekturën.

“Ka shumëçka për t’u mësuar dhe hulumtuar në këtë aplikacion, andaj mendoj që do të ketë interesim sepse është mënyrë e lehtë dhe e qasshme për të mësuar mbi qytetin”, thotë Krasniqi.

Ajo gjithashtu tha se në të ardhmen, mendojnë të zhvillojmë ecje të tjera dhe zhvillojnë dhe përmirësojnë tutje performancën e aplikacionit mobil “Prishtina Ecë”.

Vetëm në ditët e para aplikacioni në AppStore dhe PlayStore ka mbi 500 shkarkime.