Platoni ishte i pari ndër filozofët e mëdhenj që përqafoi idenë e barazisë gjinore

0
381

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 40 me rradhë ka Platonin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXX- Platoni

(427-347 p.e.s)

Idetë e filozofit të lashtë grek, Platonit ,janë pikënisja e politikës perëndimore, e filozofisë dhe në një masë të madhe, e mendimit tonë etik dhe metafizik. Mendimet e tij për këto tema janë lexuar, studiuar dhe ruajtur për më tepër se 2300 vjet. Në këtë aspekt, Platoni është një nga pararendësit e mëdhenj të mendimit perëndimor. Platoni u lind rreth vitit 427 p.e.s. Rridhte nga një familje e njohur antike. Në vitet e rinisë u afrua me filozofin e njohur, Sokratin, i cili u bë mik dhe mësues. Në vitin 399 p.e.s., Sokrati, tashmë 70-vjeçar, u ndodh përpara gjyqit nën akuzën e paqartë si i pafe dhe si shkatërrues i rinisë antike. Në gjyq ai u dënua me vdekje. Ekzekutimi i tij la gjurmë të rënda te Platoni, i cili u zhgënjye nga udhëheqja demokratike. Ai për Sokratin mendonte: ”Mendimtari më i urtë, më i drejtë dhe më i nderuar nga njerëzit që kam njohur”. Menjëherë pas ekzekutimit të Sokratit, Platoni u largua nga Athina. Për 10-12 vite me radhë, ai udhëtoi nëpër vise të ndryshme. Në vitin 387 p.e.s. u kthye përsëri në Athinë, ku themeloi shkollën “Akademia”, e cila mbeti e hapur për më shumë se 900 vjet. Emri ”Akademi” rrjedh nga “Oborri i Akedemit” (i një trimi të mitologjisë), oborr ku mblidheshin filozofët antikë për të debatuar. Pas kësaj, për 40 vjet me radhë  Platoni u mor me filozofi, me të shkruar dhe me dhënie mësimi. Nxënësi më i shquar i tij ka qenë Aristoteli, i cili hyri në “Akademi” në moshën 17 vjeç, kur Platoni ishte 60 vjeç.

Platoni vdiq në vitin 347 p.e.s , 80 vjeç. Platoni ka shkruar 36 vepra me tema kryesisht politike. Por, ka trajtuar edhe tema me probleme metafizike dhe teologjike. Është e pamundur që me aq fjali sa na lejon vendi në këtë libër të paraqiten gjithë veprat e tij. Duke rrezikuar për të thjeshtuar idetë e tij do përpiqemi të japim të dhënat kryesore politike të veprës së tij më të njohur “Republika”, ku dhe janë parashtruar pikëpamjet e tij për një shoqëri ideale. Forma më e mirë për të udhëhequr, këshillon Platoni, është aristokracia. Me këtë, ai nuk nënkuptonte aristokracinë e trashëguar, apo monarkinë, por aristokracinë me merita. Me fjalë të tjera, popullin duhet ta drejtojnë personalitetet më të afta e më të mençura të shtetit. Ata nuk duhet të zgjidhen nga votat e qytetarëve, por me kuptim; respektivisht, zgjedhja e një anëtari të ndonjë organi të kryhet nga vetë organi dhe jo nga trupi gjykues. Personat, që janë anëtarë të klasës udhëheqëse të mësuesve (drejtues, mendimtarë) duhet të pranojnë në radhët e tyre njerëz të rinj vetëm në bazë të vetive të tyre vetjake.

Platoni mendonte, se të gjithëve, edhe burrave, edhe grave duhet t’u krijoheshin mundësitë për të reguar nëse ishin të aftë për të qenë anëtarë të denjë të shkollës. Platoni ishte i pari ndër filozofët e mëdhenj, e për një kohë të gjatë, i vetmi që përqafoi idenë e barazisë midis dy sekseve, për të siguruar kushte të njëjta për të gjithë, Platoni propozonte që fëmijët të shkolloheshin nga shteti ku së pari të përgatiteshin fizikisht, pa lënë mënjanë edhe disiplinat e tjera të akademisë, si matematikën, muzikën etj. Provimet të jepeshin në disa faza. Nxënësit me përparim të dobët të kalonin në veprimtaritë ekonomike të bashkësisë shoqërore, ndërsa ata të shkëlqyerit të vazhdonin më tej shkollën. Arsimi i plotë, krahas disiplinave të radhës, përfshinte edhe filozofinë. Me këtë termë, Platoni nënkuptonte doktrinën e tij metafizike në formë ideale. Ata të rinj, që në moshën 35 vjeç kishin mësuar parimet teorike, të vazhdonin të studionin, edhe 15 vjet të tjera, ku ndërmjet lëndëve të përfshihej edhe puna praktike. Dhe vetëm ata, që do të dëshmonin se ishin të aftë të zbatonin në praktikë ato që kishin mësuar në teori, do të kishin të drejtën të bënin pjesë në klasën e mësuesve. Përparësi do të kishin të rinjtë, që i kishin kushtuar vëmendje të veçantë mirëqenies së përgjithshme. Anëtarësimi në klasën e mësuesve nuk duhet të mendohej si privilegj. Ata paralajmëroheshin se nuk do të pasuroheshin. Duhej të kënaqeshin me të ardhurat minimale nga pronat vetjake dhe nuk kishin të drejtë të punonin në shtëpi private (privatisht). Do të merrnin rrogë bazë (jo shumë të lartë) dhe nuk kishin të drejtë të mbanin as flori e as argjend. Do të ushqeheshin bashkë: burrat dhe gratë. Shpërblimi i tyre nuk ishte pasuria materiale, por kënaqësia që i shërbenin shoqërisë. Këto ishin shkurtimisht pikëpamjet e Platonit për republikën ideale. ”Republika” është tekst leximi i rekomanduar shumë shekuj me radhë. Por, duhet nënvizuar se sistemi politik i pasqyruar tek ai nuk ka shërbyer si model në asnjë qeveri. Midis kohës së Platonit dhe ditëve tona, në shumë shtete evropiane kanë drejtuar monarki të trashëguara. Në shekujt e fundit, në disa shtete janë përdorur forma demokratike të pushtetit; krahas kësaj, ka patur diktatura ushtarake ose tirani demagogjike, siç kanë qenë ato të Hitlerit dhe Musolinit. Asnjë nga këto forma nuk i ka ngjarë Republikës ideale të Platonit. Teoritë e Platonit nuk u zbatuan asnjëherë nga ndonjë parti politikë dhe as kanë shërbyer si bazë për ndonjë lëvizje politike, gjë që ka ndodhur, për shembull, me teorinë e Karl Marksit. Pra, mund të themi se edhe pse veprat e Platonit janë të respektuara, ato nuk janë zbatuar në praktikë. Megjithëse asnjë pushtet në Evropë nuk është formuar sipas modelit të Platonit ekziston një ngjashmëri jo e zakonshme midis karakterit të Kishës Katolike në mesjetë dhe klasës së mësuesve të Platonit. Edhe tek ajo qëndron vetëm elita e formuar, ndërsa anëtarët janë të prirë nga një filozofi shoqërore. Në parim të gjithë burrat, pavarësisht nga prejardhja, kanë të drejtë të bëhen anëtarë të klerit të lartë, ndërsa gratë në asnjë mënyrë nuk e kanë këtë të drejtë. Gjithashtu, në parim figurat klerikale nuk mund të martohen dhe rekomandohet që gjatë veprimtarisë të udhëhiqen nga shqetësimi për punën dhe jo nga dëshira për t’u pasuruar. Idetë e Platonit kanë gjetur  shprehje në strukturën sistematike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumë anëtarë të Parlamentit Kushtetues Amerikan i kanë njohur pikëpamjet politike të Platonit. Kuptohet, qëllimi ka qenë që Kushtetuta Amerikane të mundësonte shprehjen e dëshirës së popullit. Por, ekzistonte edhe qëllimi tjetër: të bëhej e mundur që në funksionet shtetërore të zgjidheshin më të aftit dhe më të zgjuarit. Kur vlerësojmë rëndësinë e Platonit, vërejmë se gjatë rrjedhës së shekujve, ndikimi i tij ka qenë i gjerë, por edhe i pasistemuar dhe jo i drejtpërdrejtë. Krahas teorive politike, mendimet e tij për etikën dhe metafizikën kanë ndikuar te mjaft filozofë pasardhës. Në qoftë se në këtë klasifikim Platoni është vendosur mjaft prapa Aristotelit, kjo ka ndodhur për faktin se Aristoteli ka qenë shkencëtar i shquar dhe filozof. Nga ana tjetër, Platoni qëndron më lart nga mendimtarët, si: Tomas Xheferson dhe Volteri sepse pikëpamjet politike të këtyre dy të fundit kanë ndikuar në botë vetëm dy-tre shekuj, ndërsa ato të Platonit në pothuajse 23 shekuj.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Oliver Kromuell.