Personaliteti i cili shpiku telefonin, i pari që zbuloi mënyrën e riprodhimit të zërit

0
471

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 42 me rradhë ka Aleksandër Bell.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXII- Aleksandër Bell

(1847-1922)

Shpikësi i telefonit, Aleksandër Bell, është lindur në vitin 1847 në Edinburg të Skocisë. Edhe pse shkollën e ndoqi për një kohë të shkurtër, ai mori arsim të mirë nga i ati dhe e ëma. Ai kishte dëshirë për të studiuar. Dëshira e tij për riprodhimin e zërave ishte fare e natyrshme, pasi i ati si specialist në fushën e fonetikës, jepte mësim te shurdhmemecët, ku merrej me përmirësimin e të folurit të vështirë.

Në vitin 1871, Belli u transferua në Boston të SHBA. Aty, në vitin 1875 arriti të ndërtonte një telefon. Në shkurt të vitit 1876 mori patentën për të. Interesant është fakti se po atë ditë, por pak më vonë,zbuluesi me emrin llajsha Grej kishte bërë lutjen për marrjen e patentës për një aparat të tillë të ngjashëm. Pas kësaj, zbulimin e tij Belli e paraqiti në panairin qendror në Filadelfia. Aty u prit me mjaft interes, madje fitoi edhe një çmim. Megjithatë, Kompania Uestern Junion Telegraf kundërshtoi t’ia blinte për 100000 dollarë patentën e këtij aparati. Ndaj, Belli me bashkëpuntorët e tij themeluan kompaninë e tyre, që është pararendësja e Ej-Ti-Ti-së (sot Kompania Amerikane e Telefon-Telegrafit). Telefoni shënoi shpejt një arritje tregtare të paparë, ndërsa Ej-Ti-Ti-ja u bë kompania më e madhe private në botë. Më vonë, u riorganizua në disa kompani të vogla.
Belli dhe e shoqja, e cila në mars të vitit 1879 kishte mbajtur rreth 15% të aksioneve të kësaj kompanie,nuk i imagjinuan dot të ardhurat fantastike që do t’u sillte telefoni. Në këtë kohë, kur aksionet kishin vlerën 65 dollarë njeri, e shoqja duke u trembur se mos i mbeteshin në dorë, iu lut Bellit që t’i shisnin të gjitha aksionet. Për shtatë muaj ata arritën të shisnin pjesën më të madhe të aksioneve me 250 dollarë njërin. Ndërsa në nëntor i shitën me 1000 dollarë njërin. Kështu, gjatë vitit 1881, pa menduar  gjatë,ata shitën një të tretën e tyre. Nga kjo, në vitin 1883, ata kishin afro 1000000 dollarë.

Edhe pse u pasurua falë zbulimit të tij, Beli nuk u shkëput nga veprimtaria kërkuese. Ai ndërtoi me sukses edhe shumë aparate të tjera, por jo me rëndësinë e të parit. Ai interesohej edhe për probleme të tjera. Shqetësimi kryesor i tij ishte të ndihmonte personat që nuk dëgjonin. Edhe e shoqja, ish-nxënëse e tij, nuk dëgjonte nga veshët. Lindën dy djem dhe dy vajza, por u vdiqën shumë të vegjël. Në vitin 1882, Belli mori shtetësinë amerikane. Vdiq në vitin 1922.

Në vlerësimin e Bellit, udhëhiqemi nga rëndësia që ka shpikja e tij kryesore, telefoni. Sipas nesh, kjo shpikje është thelbësore, sepse të pakta janë ato zbulime, që kanë hyrë aq shumë në jetën tonë të përditshme dhe që ndikojnë aq shumë te ne.

E vendosim Bellin pak më poshtë se Markoni për arsye se radioja ka gjithëfarëlloj përdorimesh. Në parim, një bashkëbisedim telefonik mund të bëhet edhe me anë të radios, por në shumë raste (për shembull, lidhja me avionin gjatë fluturimit), telefoni nuk mund  ta zëvendësojë radion. Në qoftë se ishte vetëm ky aspekt, atëhere Bellin do ta klasifikonim në libër edhe më poshtë se Markoni. Megjithatë, duhen patur parasysh edhe dy faktorë të tjerë: Së pari, një bashkëbisedim i veçantë telefonik mund të bëhet edhe me anë të radios, por është shumë vështirë që të zëvendësohet i tërë rrjeti telefonik me një sistem përkatës radioje. Së dyti, Belli është i pari që zbuloi mënyrën e riprodhimit të zërit. Metoda e tij, edhe pse e përshtatur, është shfrytëzuar nga zbuluesit e radiomarrësit, gramafonit dhe aparateve të tjera të kësaj fushe. Duke parë këtë ndikim, Aleksandër Bellin e klasifikojmë në këtë libër pak më poshtë se Markoni.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Aleksandër Fleming.