“Përjetësia femërore”

0
137

Imazhi femëror mbetet ndër subjektet më frymëzuese në çdo periudhë të artit pamor lëvruar prej artistëve të dy gjinive. Trajtimi i saj me gjuhën e pikturës në teknika të ndryshme ndër vite vjen në ekspozitën “Përjetësia femërore”, kuruar nga Artan Shabani, në rezidencën e Italisë në Tiranë.

Janë 36 emra të njohur, mjeshtra të pikturës, të cilët pasqyrojnë figurën femërore në bukurinë, forcën, inteligjencën, dramacitetin realizuar në portrete e kompozime.

Ky prezantim vjen i ndarë në tri periudha: në vitet 1920, ku kuratori ka preferuar ta nisë me një portret të lirikut të shquar Lasgush Poradeci.

Intensitetin më të lartë e mbart salla e dytë, ku vjen figura femërore në periudhën e realizmit socialist.

Figura femërore vjen e plotë në këtë ekspozitë, me gjithë dimensionin e saj e shtrirë në historinë shqiptare  shpjegon kuratori Artan Shabani.

Kuratori e ka nisur ekspozitën në mënyrë atipike, me një portret të Lasgush Poradecit realizuar në vitin 1923. Suzana Varvarica prezantohet me një krijim të vitit 1989, e cila asokohe u ndalua.

Edhe Lek Tasi gjatë krijimtarisë së tij ka prekur elementin femëror, gjithnjë duke pasur një thellësi mendimi, në këtë rast sjell rivalitetin në art gati në kufijtë e tragjikes, përcjell Atsh.

Ekspozita e cila është hapur më 4 shkurt do të qëndrojë deri më 30 prill 2019 për publikun në rezidencën e Italisë, në Tiranë. Vizitorët duhet të prenotojnë online në faqen e ambasadës italiane, për të parë nga afër këtë koleksion pikturash.