Perandore reformatore dhe nënë e 16 fëmijëve

0
73

Maria Theresia Walburga Amalia Christina (1717-1780) njihet si themeluesja e Shtëpisë Habsburg-Lothringen. Sundimi i saj u karakterizua nga një larmi reformash, për definimin dhe zbatimin e të cilave ajo i falënderohej punës së palodhshme të një rrethi këshilltarësh të shkëlqyeshëm. Në statujën që po shihni ajo është e rrethuar nga këta këshilltarë, të cilët mes tjerash projektuan reformat vijuese:

– Riorganizimin e administrimit të Perandorisë në rrethe, qeveri rajonale dhe nivel qendror – një model paraardhës i sistemit federativ.

– Pofesionalizimin e administratës shtetërore përmes largimit nga pozitat udhëheqëse të “meritokracisë” fisnike dhe zëvendësimit të tyre nga profesionistë të shkolluar.

– Në rrafshin ekonomik, përpos krijimit të katastrit tatimor, censusit dhe institucionit për statistika, qëllim kryesor i saj ishte nataliteti. Atëbotë, nataliteti barazohej me zhvillimin e përgjithshëm të shtetit, edhe për faktin se më shumë popull, nënkuptonte më shumë ushtarë. Vet Maria Theresia ishte nënë e 16 fëmijëve.

– Në rrafshin e arsimit, reforma më e rëndësishme ishte ajo e vitit 1774, kur arsimi fillor u bë obligativ për të gjithë fëmijët.

– Në arsimin e lartë ajo arriti të ulë dukshëm ndikimin religjioz, që simbolizohej edhe me ndërtimin e Aulës së Universitetit të Vjenës.

– Në rrafshin ushtarak, Maria Theresia u shqua për themelimin e Akademisë së parë Ushtarake në botë, Akademia Theresiane, oficerë të së cilës, si Gustav Mirdashi (Gustav von Myrdacz) apo Hermann Kirchner, luajtën rol kyç edhe në krijimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare në periudhën 1928-1939.