Pensionet për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta, do të trashëgohen edhe nga bashkëshortët

0
216

Rreth 10 mijë punëtorë të  arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët ushtruan profesionin e tyre nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin 1998/99, pritet që të marrin beneficionet e tyre, sipas Ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Këta punëtorë të arsimit gjatë kohës së para dhe gjatë luftës, pritet që të marrin beneficionet pas daljes së tyre në pension.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka njoftuar se beneficionet shtetërore do t’i takojnë të gjithë punonjësve të arsimit gjatë asaj kohe, ku përfshihen edhe punëtorët të tjerë, si teknik dhe administrativ.

Sipas Bytyqit, të drejtë për të përfituar nga beneficioni do të kenë edhe bashkëshorti ose bashkëshortja e ndonjërit prej ish punëtorëve të arsimit shqip në vitet e 90-ta, të cilët nuk ndodhen më në këtë jetë.

“Mund të jetë mësimdhënësi por edhe bashkëshorti ose bashkëshortja në rast se kemi ndonjë që nuk jeton tashmë në këtë periudhë që të aplikon dhe të fillon ta shfrytëzon pjesën pensionale”, tha ministri Bytyqi.

Bytyqi ka bërë të ditur se përqindja përfituese do të jetë në kohën kur punëtori i arsimit të asaj kohe do të del në pension dhe e cila është e përcaktuar në bazë të viteve sa ka punuar, të cilat fillojnë nga 1 deri në 9 vjet kontribut.