Pas variantit të ri të Covid, miliona njerëz në Angli përballen me kufizime më të vështira

0
139

Londra, pjesa më e madhe e Essex dhe pjesë të Hertfordshire do të kalojnë në nivelin më të lartë të kufizimeve mbi Covid. Vendimi i ri, i cili do të prekë rreth 34 milionë njerëz, erdhi pasi Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, njoftoi se është vënë re një rritje e rasteve të infektimeve me një variant të ri të Covid.

“Ne kemi identifikuar aktualisht mbi një mijë raste me këtë variant, kryesisht në jug të Anglisë, megjithëse rastet janë identifikuar në mbi 60 zona të ndryshme dhe numrat po rriten me shpejtësi.”

Duke filluar që prej ditës së mërkurë (16 dhjetor) rreth 61% e popullsisë angleze do të vendoset nën masat kufizuese të nivelit të tretë raporton BBC.

Disa prej rregullave:

– Ndalohen grumbullimet e njerëzve në ambiente të mbyllura, në kopshte private ose në vende në mjedise të jashtme, me përjashtim të anëtarëve të familjes ose familjarëve të tjerë.
– Grumbullimet në ambiente të jashtme lejohen deri në gjashtë persona.
– Dyqanet, palestrat dhe shërbimet e kujdesit personal mund të qëndrojnë të hapura, ashtu si pishinat.
– Baret, pub-et, kafenetë dhe restorantet duhet të qëndrojnë të mbyllura, përveç shërbimeve delivery dhe “merre me vete”.
– Tifozët nuk lejohen të ndjekin ngjarjet sportive në stadium, as me kapacitet të reduktuar.
– Vendet e argëtimit, si kinematë dhe teatrot, do të mbyllen.
– Njerëzit këshillohen të mos udhëtojnë nga dhe në zonat e nivelit të tretë.

Hancock tha se Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë për variantin e ri. Për fat të mirë, shkencëtarët besojnë se është “shumë e pamundur” që vaksina e Covid-19 të rezultojë pa efekt ndaj variantit të ri.

Për më shumë në lidhje me mutacionet e viruseve dhe skenarin më të keq të tyre, klikoni këtu.