Pas konferencës së Vitisë, Prokuroria autorizon Policinë të inicojë rast për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”

0
50

Pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”

Kjo u bë e ditur në një njoftim Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitija, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së”.

“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin Prokurorisë.

Portali online “Insajderi”, dje kishte raportuar se Vitia nuk kishte nënshkruar kontratë për vaksina me kompaninë Pfizer. Kjo ishte mohuar nga ministri në konferencën që e kishte mbajtur.