Papa Françesku në Irak: Jam pelegrin i paqes

0
42

Papa Françesku filloi sot një vizitë zyrtare në disa rajone të Irakut, deri më 8 mars, në vizitën e tij të parë ndonjëherë në këtë vend.

Papa Françesku do të mirëpritet në një ceremoni zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.

”Jam një pelegrin i paqes”, deklaroi Ati i Shenjtë përpara nisjes nga aeroporti ”Leonardo da Vinçi” i Romës.

Ai do të takohet me kryeministrin irakian, Mustafa Al-Kadhimi në një sallë në aeroport ku priten figura të veçanta.

Më vonë, ai do të pritet nga presidenti irakian, Barham Salih në një ceremoni zyrtare në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, brenda së cilës ndodhen ndërtesat e qeverisë irakiane dhe shumë ambasada të huaja.

Pritet që Papa të takohet me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe diplomatë.

Ai do të vizitojë katedralen ”Sayidat al-Nejat” në Bagdad, ku dhjetëra njerëz u vranë në një sulm terrorist në vitin 2010 gjatë një rituali fetar.

Papa pritet të mbajë një fjalim dhe të takohet me udhëheqës të komunitetit katolik dhe sirian atje.

Në ditën e dytë të vizitës së tij, Papa do të udhëtojë në provincën Naxhaf, ku do të takohet me klerikun e lartë shiit Ali al-Sistani. Takimi do të jetë i mbyllur për mediat.

Ai do të vizitojë gjithashtu qytetin antik Ur, i cili shtrihet në periferi të qytetit modern Nasiriyah.

Ur ishte një qytet-shtet i rëndësishëm Sumerian në Mesopotaminë e lashtë që besohet të jetë vendlindja e Profetit Ibrahim.

Nga ky vend, Papa do t’i drejtohet botës ku do të mbajë një fjalim mbi tolerancën ndërfetare. Papa do të kthehet në Bagdad në mbrëmje për të mbajtur një ceremoni fetare në Kishën Kaldeane të Shën Jozefit.

Të dielën, ai do të vizitojë Erbilin, kryeqyteti i rajonit Kurd të Veriut të Irakut.

Udhëheqësi shpirtëror i botës katolike do të pritet nga presidenti i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Nechirvan Barzani si dhe disa zyrtarë fetarë dhe qeveritarë në aeroportin e Erbilit.

Pas takimit të tij me Barzanin në aeroport, Papa do të udhëtojë për në Mosul me helikopter.

Më pas, ai do të vizitojë rajonin Karkush në Mosul, ku banon një popullsi e madhe krishtere dhe do të mbajë një fjalim atje.

Kjo do të jetë vizita e parë e tij jashtë që nga fillimi i pandemisë së COVID-19./ATSH