OKB: Një në pesë fëmijë jeton në varfëri të skajshme

Një në pesë fëmijë në botë jeton në varfëri të skajshme, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Fondi i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

Shifra përkon me 385 milionë fëmijë në botë, të cilët jetojnë me më pak se 1,9 dollar në ditë, ka treguar raporti i titulluar “Drejt mbrojtjes sociale për fëmijët në nivel global”.

Ndërkaq, 689 milionë fëmijë, apo gjysma e numrit total të fëmijëve, jetojnë në varfëri mesatare me më pak se 3,1 dollarë në ditë.

Sipas raportit, niveli i varfërisë te fëmijët është thuajse dyfish më i lartë se ai te të rriturit.

Gjysma e fëmijëve që jetojnë me më pak se 1,9 dollarë të ardhura ditore janë nga Afrika, kurse një e treta nga Azia Jugore./atsh