OBSH: Maskë gjatë festave përballë rrezikut në rritje të rasteve në 2021

0
41

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandoi mbajtjen e maskës gjatë takimeve familjare për Krishtlindje dhe festat e fundvitit në Europë, theksoi sot ajo duke paralajmëruar për një rrezik të lartë të rritjes së epidemisë në fillim të vitit 2021.

Duke marrë parasysh zhvillimin e pandemisë së COVID-19, ekziston një rrezik i lartë për një rishfaqje tjetër në javët dhe muajt e parë të vitit 2021″, theksoi dega europiane e OBSH-së në një komunikatë ku bëri thirrje për mbajtjen e maskës dhe praktikimin e distancimit social gjatë festave të fundvitit.

“Mund të duket e vështirë të mbani një maskë dhe të praktikoni distancimin fizik në prani të miqve dhe familjes, por kjo kontribuon për të garantuar që të gjithë të qëndrojnë të sigurt dhe të shëndetshëm”, shtoi organizata.

“Kurdoherë që është e mundur, tubimet duhet të bëhen jashtë. Nëse ato zhvillohen në ambiente të mbyllura, është e rëndësishme të kufizoni numrin e mysafirëve dhe të ajrosni mirë për të kufizuar rreziqet”, këshillon ajo.

Zona e Europës, që përfshin 53 vende, gjithashtu dhe Rusinë, ka regjistruar më shumë se 22 milionë raste me COVID-19 dhe rreth 500 000 të vdekur që prej fillimit të pandemisë.

Gjatë shtatë ditëve të fundit, rreth 1,7 milionë raste të reja janë regjistruar, si dhe më shumë se 34 500 të vdekur./ATSH