OBSH gjen shenja të mundshme të një shpërthimi më masiv në 2019-n

0
299

Hetuesit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të cilët janë duke hulumtuar mbi origjinën e koronavirusit në Kinë, kanë zbuluar shenja se shpërthimi i infeksioneve ishte shumë më i gjerë në Wuhan në dhjetor 2019 sesa mendohej më parë dhe po kërkojnë akses urgjent në qindra mijëra mostra gjaku nga qyteti, të cilat Kina deri më tani nuk i ka lënë t’i shqyrtojnë.

Hetuesi kryesor për misionin e OBSH-së, Peter Ben Embarek, tha për CNN në një intervistë të gjatë se misioni kishte gjetur disa shenja të përhapjes më të gjerë në vitin 2019. Ekipi gjithashtu pati mundësinë që të fliste me pacientin e parë që zyrtarët kinezë e konfirmuan si të infektuar, një punonjës zyre në të 40-at e tij, pa histori udhëtimi, raportuar i infektuar më 8 dhjetor.

Shfaqja e ngadaltë e të dhënave më të hollësishme të mbledhura në studimin e OBSH-së në Kinë mund të shtojë edhe më tepër shqetësimet e shprehura nga shkencëtarët e tjerë që studiojnë origjinën e sëmundjes, të cilët besojnë se ajo mund të jetë përhapur në Kinë shumë kohë para dhjetorit.

Ben Embarek tha për CNN: “Virusi po qarkullonte gjerësisht në Wuhan në dhjetor, gjë që është një zbulim i ri.” Specialisti u shpreh se zyrtarët kinezë raportuan 174 raste të infektimeve me Covid në dhjetor 2019, por për shkak të numri të lartë të rasteve të rënda, është e mundur që të kenë qenë rreth 1000 të infektuar në Wuhan në dhjetor.

Ben Embarek shtoi se misioni – i cili përbëhej nga 17 shkencëtarë të OBSH-së dhe 17 kinezë – kishte zgjeruar llojin e materialit gjenetik të virusit që shqyrtuan nga rastet e hershme të koronavirusit në dhjetorin e parë. Si rezultat, ata ishin në gjendje të mblidhnin për herë të parë 13 sekuenca të ndryshme gjenetike të virusit SARS-CoV-2 nga dhjetori i vitit 2019. Sekuencat, nëse ekzaminohen me të dhëna më të gjera të pacientëve në Kinë përgjatë vitit 2019, mund të sigurojnë informacione të vlefshme për gjeografinë dhe kohën e shpërthimit para dhjetorit.

Ekzistojnë polemika gjithnjë e në rritje rreth hetimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për origjinën e pandemisë së Covid-19 pasi një nga anëtarët e saj tha se Kina kishte refuzuar të dorëzonte të dhënat kryesore. Dominic Dwyer, një ekspert australian i sëmundjeve infektive i cili ishte pjesë e ekipit, tha se ata kishin kërkuar të dhëna të papërpunuara të pacientëve, por u ishte dhënë vetëm një përmbledhje.

Wuhan është vendi ku u identifikua sëmundja dhe qyteti i parë që u godit keq nga një valë infeksionesh, por Kina ka kërkuar të hedhë dyshime nëse pandemia e ka origjinën në Kinë, duke thënë se një burim mund të jetë ushqimi i ngrirë i importuar.

Ditë më parë, misioni i udhëhequr nga OBSH-ja në Kinë deklaroi se nuk po shqyrtonte më tej çështjen nëse virusi u përhap pas një incidenti në një laborator, por më pas, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha:

“Disa pyetje janë ngritur nëse disa hipoteza janë hedhur poshtë. Duke folur me disa anëtarë të ekipit, dëshiroj të konfirmoj se të gjitha hipotezat mbeten të hapura dhe kërkojnë analiza dhe studime të mëtejshme.”