Nuk ka provë shkencore që ushqimi është burim transmetimi i koronavirusit tek njeriu

0
52

Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit (EFSA) po monitoron nga afër situatën në lidhje me shpërthimin e sëmundjes koronavirus (COVID-19), që po prek një numër të madh vendesh në të gjithë globin.

Aktualisht nuk ka asnjë provë që ushqimi është një burim ose rrugë e mundshme e transmetimit të virusit.

Kryesuesja shkencore e EFSA-së, znj. Marta Hugas, ka thënë se përvojat nga shpërthimet e koronaviruseve të mëparshëm, të tilla si koronavirusi i sindromës së rëndë respiratore akute (SARS-CoV) dhe koronavirus i sindromës së frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS-CoV), tregojnë se transmetimi përmes konsumit të ushqimit nuk ndodh.

”Për momentin, nuk ka prova që të sugjerojnë që koronavirusi është i ndryshëm në këtë drejtim”, shprehet ajo.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë se derisa  kafshët në Kinë ishin burim i mundshëm i infeksionit fillestar, virusi po përhapet nga një person në person – kryesisht përmes spërklave kur personi tështitet apo kollitet.

Më shumë informacion mbi koronavirusin dhe ushqimin mund të gjenden në këtë FAQ nga BfR, organi i vlerësimit të rrezikut të Gjermanisë.

Shkencëtarët dhe autoritetet në të gjithë botën janë duke monitoruar përhapjen e virusit dhe nuk ka pasur raporte të transmetimit përmes ushqimit.

Për këtë arsye, EFSA aktualisht nuk është e përfshirë në përgjigjen ndaj shpërthimeve të COVID-19, por sidoqoftë, EFSA është duke monitoruar literaturën shkencore për ndonjë informacion të ri dhe të rëndësishëm.

Lidhur me sigurinë e ushqimit, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH/WHO) ka publikuar rekomandime paraprake.

Aty përfshihen këshillat për ndjekjen e praktikave të mira të higjienës gjatë trajtimit dhe përgatitjes së ushqimit siç është larja e duarve, gatimi i mishit në tërësi dhe shmangia e kryq kontaminimit të mundshëm mes ushqimeve të pa gatuara dhe të gatuara.