Njihuni me Arianit Shehun, punën dhe këshillat e tij për demokratizim

0
259

Arianit Shehu, drejtori ekzekutiv i NDI (Instituti Demokratik Kombëtar) për Lindje të Mesme me bazë në Aman të Jordanisë, ka folur për shumë çështje në emisionin OXYGEN.

Ai ka treguar për punën që bënë, për demokratizimin e vendeve ku ai punon dhe për marrëdhëniet e Amerikës me shtetet ku ai vepron.

Në këtë emision ka dhënën qëndrimet e tij, që jo domosdo paraqesin qëndrimin e NDI.

Ai thotë se ka frikë se vitet që po vijnë do të jenë shumë sfiduese për botën por edhe për shqiptarët.

“Domosdo do të shohim një tkurrje të interesit perëndimor në përkrahje të demokracive. Narrativi politik i qytetarëve të vendeve evropiane dhe të SHBA-së është shndërruar në përkrahje të politikave dhe partive dhe individëve që janë shumë më shumë të orientuara drejt probleme të brendshme të sigurisë së brendshme”, thotë ai, duke shtuar se interesi i qytetarit është cunguar, për fat të keq.

Kur flet për konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që ka edhe shumë viktima, thotë se nuk ka asnjë iniciativë serioze ndërkombëtare për me trajtuar atë problem.

“Një skenar i tillë, është mendim i imi, para 15 vitesh nuk do të ekzistonte. Do të kishte iniciativë ndërkombëtare, për ta arrit një armëpushim, më seriozisht, dhe me zhvendos konfliktin nga beteja, në tavolinë në bazë të negociatave. Me sa e njoh atë pjesë, ata duhet t’i kthehen marrëveshjes se vitit 1994, që ka funksionuar dhe është rregulluar konflikti, Po frikësohem që do të shohim shumë më shumë situata që shtete do të jenë ndërmjetësues të shteteve tjera”, thotë ai.

Rusia sipas tij, po kthehet në skenën gjeostrategjike/gjeopolitike shumë fuqishëm.

“Po brengosem, që vitet në vijim do të jenë shumë më sfiduese, edhe ne si Kosovë si shqiptarë duhet të reflektojmë shumë më seriozisht më me strategji, në bazë të këtij ndërrimi në narrativin politik, i cili i sjell në pozita udhëheqëse/vendimmarrëse në vendet evropiane dhe në SHBA, fuqi dhe rryma politike që kanë ndoshta një mendim tjetër nga ata të vitet ’90 dhe 2000”, thotë Arianit Shehu.

Ai thotë se Evropa po bënë gabimet e njëjta që ka bërë gjatë luftës në Bosnjë dhe në Kosovë.

“Për Evropën, sot janë në gjendje më fliju një shtet ose një vend për disa interesa të tyre, në këtë rast me Rusinë. Gjatë muajve dhe viteve në vijim do të shohim edhe më shumë kompromise që Evropa është në gjendje t’i bëjë, ndoshta edhe në kurrizin tonë, për të arritur disa marrëveshje që atyre ua merr mendja se janë të mira për ta, me një shtet rus që është në ekspansion, ushtarak, është narrativ i Putinit me i anashkalu problemet e brendshme që i ka me tërheq vëmendjen nga qytetarët, është një diktaturë padyshim. Shteti rus sot merr guximin me i helmu kritikuesit e Putinit edhe në shtete të tjera madje”, thotë ai, duke shtuar se në Lindje të mesme ndikimi rus është rikthyer fuqishëm.

“Nga Presidenti Obama dhe Trump, si pjesë e politikës së tyre, mendimi im, ka qenë tërheqja ushtarake nga vendet e Lindjes së Mesme. Aty kam menaxhu shumë programe. Janë 8 milionë Sirianë refugjatë brenda vendit, janë 4 milionë të tjerë jashtë Sirisë, janë 700 mijë të vdekur, bota sot nuk e regjistron atë problem. I kemi në Jemen diku 500 fëmijë që po vdesin nga uria, pra bota në aspektin moral ka dështuar edhe në Siri edhe në Jemen, që të gjej mënyra të përkrahjes së këtyre qytetarev të mjerë që duhet ndihmuar”, thotë Shehu.

Ai kujton se Bashar al-Assad, president i Sirisë, ka mundësi të gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Arianit Shehu thotë se demokracia nuk është e fuqishme në vendet kur pushteti është i fuqishëm, por demokracia sipas tij, është vetëm kur qytetari është i fuqishëm, e qytetari thotë ai, është i fuqishëm vetëm kur e merr përgjegjësinë që e ka, me të drejtën e votës, edhe me përgjegjësi tjera që i ka përtej kritikave në Facebook, duke fillu me organizim në familje, në lagje në qytet.

Shehu thotë se asnjë gjendje nuk ndryshon nëse nuk e duam atë ndryshim.

Kur flet për situatën në Kosovë thotë se ka shumë pakënaqësi dhe zemërim të madh te qytetarët.

Sipas tij, qeveritarët duhet të reflektojnë shumë seriozisht në këtë pakënaqësi, që thotë se nuk është e facebook-ut apo e një mllefi, por pakënaqësi e pamundësisë së organizimit dhe me qenë në gjendje me kërku dhe me u shpërbly nga njerëzit që paguhen nga taksat e tyre, në mënyrën që e meritojnë qytetarët tonë.

Vlerëson se ka individë të mirë dhe profesionistë në secilën parti.

“Ndoshta 5 njerëz individualisht nuk mund të bëjnë asgjë, por 5 njerëz që përkrahin njëri-tjetrin mund të bëjnë shumë. Nganjëherë fokusohemi shumë te individi dhe harrojmë procesin, procesi është njëlloj i rëndësishëm sikurse individi. Nëse ne qytetarët nuk kemi iniciativë me i ndryshu proceset, të njëjtit individë vazhdojnë të qëndrojnë aty ku janë dhe me i kriju proceset tjera që u konvenojnë atyre. Si qytetarë duhet të marrim përgjegjësinë që kemi, që të shqyrtojmë secilin proces të vendimmarrjes”, thotë ai.

Shehu shpjegon se demokracia u bie detyrime qeveritarëve por edhe ka kushtet e përfaqësimit dhe atë të pjesëmarrjes qytetare në proceset politike të vendimmarrjes.

Ai vlerëson se ka njerëz të dijshëm, gjithandej, por të tjerat varen nga dëshirat, vullneti dhe nga përkushtimi, që sipas tij, duhet përkushtim i drejt që inkorporon sakrificën.

Shehu thotë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po bënë punë shumë të mirë, por rekomandon që të inkorporohet diaspora me kapacitetet që kanë, qoftë intelektuale, qoftë të biznesit apo edhe të definimit të politikave.

Kur flet për takimin e Kryeministrit të Kosovës, në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë thotë se me qenë prezent dhe pjesë e një storie të suksesit të presidentit të SHBA-së është defakto një garanci e shtetësisë dhe integritetit territorial, ngase me administratën aktuale gjithçka konsiderohet e paparashikueshme.

 “Në secilin dokument, postim dhe komunikim zyrtar, Administrata e Presidentit Trump ju ka referu Kosovës si Shtet i Kosovës dhe kryeministrit si Kryeministër i Kosovës dhe ajo në protokolle formale do të thotë mjaftë, do të thotë se mendimi i administratës së tanishme, domosdoshmërisht është integriteti i Shtetit të Kosovës”, thotë Shehu.

Izraeli thotë se do e njeh Kosovën, por duhet punuar, duhet iniciuar procedurat, shkëmbimi i letrave kredenciale, duhet vizitohet Izraeli me një delegacion zyrtar.

“Sipas marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, shteti Palestinez i ardhshëm ndërtohet në territorin e Bregut Perëndimor dhe rripin e Gazës me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe pjesë e Palestinës. Jerusalemi Lindor sot banohet nga palestinezët, aty është xhamia, kisha por edhe tempulli – muri i vajtimit. Ambasada Amerikane është në Arnona, në pjesën Perëndimore të Jerusalemit. Edhe Kosova mund të ndërtoj në atë Perëndimore. Udhëheqja Palestineze është treguar shumë e padrejtë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, nuk kemi asnjë obligim, as etik, as moral, as interes politik, asnjë lloj lidhje me palestinezët, origjina, konteksti problemi është tjetër i tyri”, thotë Arianit Shehu.

Shpjegon se kur thuhet Shtet Mik, ajo është rrugë dykahëshe. Duhet të jemi shtet mik i SHBA-së pa kushtëzime, sipas tij.

Vlerëson se nuk i takon Kosovës, as shqiptarëve në Kosovë ta mësojmë Amerikën për demokracinë apo të përkrahim njërin kandidat apo tjetrin.

“Pa marr parasysh se kush është në pozitë, miqësia jonë duhet me qenë shumë e sinqertë. Obligimi ynë nuk është vetëm ta ruajmë miqësinë, por edhe t’i edukojmë brezat e ardhshëm që të kuptojnë dhe ta dinë sa e vlefshme është miqësia e Kosovës me SHBA-në”, thotë ai.

NDI është Institut i themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 1984, i cili përkrahet nga Kongresi dhe me punën e tyre informojnë politikat e Kongresit, si Përfaqësuesit ashtu edhe Senatin, mbi politikat që besojnë se janë në vijë të promovimit të sistemeve politike që më së miri i përfaqësojnë të drejtat e qytetarëve në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në vende të tranzicionit, pas luftës, diktaturës apo ndonjë trazire. Janë në mbi 100 shtete të botës, por me programe janë në 140 vende të botës. Drejtoreshë e Bordit të NDI është Madeleine Albright, ish-sekretarja e Shtetit Amerikan, të cilin Shehu e ka drejtoreshë, e është edhe Këshilltar i Lartë i Bordit, pra është i kyçur si pjesë e punimeve të ndryshme në definimin e politikave të Institutit në mbarë botën, për çështje të ndryshme.

Shehu është edhe Ligjërues në Kolegjin Mbretëror të Ushtrisë jordaneze dhe flet disa gjuhë, ka studiuar elektro në Kosovë dhe është themelues i ENEMO, në Kosovë, pra Rrjeti i Organizatave për Monitorim të Zgjedhjeve, që tashmë është entitet i fuqishëm i pavarur, me të cilët kanë vëzhguar zgjedhje në shumë shtete.

Ai ka shumë çmime gjithandej, ndër to edhe “Nderi i Kombit” nga Jordania, për avancimin e demokracisë.

Hobi ka paragllajdimin dhe është nip i aktorëve Hadi dhe Jahja Shehu. /oxygenpress.info