Një ekspozitë interaktive kthen rrahjet e zemrës në art

Ndaluni për një moment dhe ndiqni me vëmendje zemrën tuaj. A e dëgjoni rrahjen e saj? Ndoshta jo, por ju e dini që po rreh. Tani imagjinoni ritmin e zemrës të transformuar në ngjyra. Në një ekspozitë të re interaktive të titulluar “Pulse” në muzeun Hirshhorn në Uashington, mund të shihni pikërisht ritmin unik të zemrës tuaj.

Mund ta shohësh para se ta dëgjosh. Është zemra. Dritat vallëzojnë me ritmin e saj. Kur prek sensorët, drita më e afërt vezullon. Rrahja e zemrës bashkohet me të tjerat, ndërsa llambat shkëlqejnë, duket ndjekur ritmin e saj.

“Pulse”, është një ekspozitë interaktive në Muzeun Hirshhorn në Uashington.

Një paltformë ndriçuese transporton të dhënat biometrike tek llambat prej 300 vatësh. Stephane Aquin është kuratori i muzeut.

“Është një llambë me dritë inkandeshente. Ajo dridhet dhe pulson me ritmin e zemrës”, thotë ajo.

Në një sallë tjetër, është një sensor me një mikroskop dixhital dhe një monitor për rrahjen e zemrës.Një projektor shfaq shenjat e gishtërinjve në një ekran, që zë gjithë murin e një galerie.

Në një sallë të tretë, rrahjet e zemrës transformohen në një valëzim në një pishinë të ndriçuar, deri kur valët ngadalësohen dhe në fund ndalen, ashtu si vetë jeta…

Kardiologia Susan Bennett, është e apasionuar pas artit dhe zemrës.

Ajo thotë se një ekspozitë e tillë ofron për dikë si ajo, diçka përtej artit.

“Nëse dikush do të kishte fibrilacion atrial dhe do më kërkonin t’i hidhja një sy ritmit të zemrës së tij këtu në ekspozitë, unë do të isha në gjendje ta përcaktoja këtë lloj gjendjeje”,thotë ajo.

Në sallën fillestare, pulsimi i zemrës është i vazhdueshëm. Kur një rrahje zemre hyn në rrjet, të tjerat zhvendosen në llampën tjetër.

Pas 211 rrahjesh zemre, llampa juaj zhduket. Artisti thotë se kjo është një kujtesë, se sa të përkohshëm jemi në këtë planet.