“Një adoptim nuk i fshin kujtimet e së kaluarës, fëmijët mund të ndryshojnë, ata i ndryshon dashuria”

0
106

Kushërira ime është prind kujdestar me pesë fëmijë. Ajo dhe bashkëshorti i saj së fundmi kanë adoptuar 4 nga 5 fëmijë (të gjithë vëllezër e motra). Ka qenë kënaqësi ta shoh këtë rrugëtim të saj. Më pëlqen se si është autentike në jetën e saj me fëmijë të adoptuar. Këtë ngjarje ajo e ka ndarë në faqen e saj, dhe me leje po e shpërndaj këtu, sepse thjesht është shumë e mirë dhe shumë relevante.
Sonte, pas 2.5 vitesh që ka jetuar me ne, djali im më i madh u ul në tavolinë me këtë pjatë. Ai nisi të hajë kur unë e ndalova ta pyes se çfarë po bënte. Ai u përgjigj, kam bërë darkë për veten. Por, nuk është e zier, i thashë unë. “Deshta të ha diçka që kam hëngër kur isha me familjen time të vjetër”, u përgjigj ai.
Pastaj, u ulëm dhe i kërkova të më fliste rreth kësaj. Ai tha që prindërit e tij nuk e ushqenin sepse ishin të dehur dhe atij i duhej të bënte vetë diçka për të ngrënë për veten dhe vëllezërit e tij (2 vjeç dhe 4 muajsh kur ne i adoptuam). Ai rrëfente si të gjitha paratë që kishin prindërit i shpenzonin për cigare dhe gjëra të tjera argëtuese e kështu, ai gjente kusure në veturë dhe blinte pako Ramen në dyqanin e lagjes. Në këtë kohë ai ka qenë vetëm 6 vjeç. Ai më tregonte se nuk ka ditur ta vlojë ujin, kështu që i hante të këtilla. Dhe më pas kishte nisur t’i pëlqente. Për vëllain e vogël e thynte në pjesë të imëta, ndërsa bebes ia përgatiste në biberon. Dhe ishte vetëm 6 vjeç.
I kërkova ta bënte një edhe për mua. Dhe u ula bashkë me të duke e ngrënë, por me shumë ujë sepse nuk është fare e lehtë të përtypet. Më pas, ai nisi të fliste për atë se si herën e parë që unë i kisha përgatitur Ramen, ai nuk kishte dashur ta hante. Dhe unë e mbaj mend këtë. Ai tha se iu kishin kujtuar pakot e tij Ramen dhe se akoma nuk më besonte mua. (Këto janë mendime të mëdha për një 9 vjeçar). Më pas, ai tha që më nuk është i mërzitur pse nuk është me familjen e tij të vjetër, por se i pëlqen ta kujtojë se sa i fortë i është dashur të jetë.
Po e shkruaj këtë, që të gjithë ta kuptojnë që traumat nuk shërohen shpejtë, e ndonjëherë nuk shërohen fare. Një adoptim nuk i fshin kujtimet e së kaluarës, fëmijët mund të ndryshojnë, ata i ndryshon dashuria, dhe asnjëherë nuk duhet të heqim dorë nga një fëmijë se është “i vështirë”.
Pastaj, unë u largova e tronditur dhe e mërzitur, por shumë, shumë, shumë krenare për atë se sa i fortë është djali im. Ai është i mrekullueshëm.
Miq, kjo është jeta e fëmijëve në familje të vështira. Kjo është një jetë me trauma. Ne as nuk mund ta imagjinojmë se çfarë përjetojnë këta fëmijë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një akt abuzimi apo neglizhimi, por për jetë në prag të mbijetesës. Trauma futet në secilën pore Fëmijët nuk e harrojnë. Mendjet dhe trupat e tyre nuk i lejojnë të harrojnë./supergrate.net