“Në shtëpitë e të tjerëve, mos shkoni si inspektore higjiene!”

0
1516

Nga Shqipe Palloshi Zumberi

Është i njohur te ne fenomeni që mysafiri më shumë e shikon shtëpinë, sesa njerëzit të cilët ka shku me i vizitu. Dhe pastaj gjithçka bëhet temë muhabeti në takimet me të tjerët. “I kish pas perdet kështu, e kish pas qilimin ashtu. Nji grumbull enë ia gjeta pa la. Krejt lojnat e fmijëve nëpër dhomë i kish pasë” – si këto edhe shumë muhabete tjera.

Prandaj, shumica e grave duke jetu me kompleksin se çfarë thonë të tjerët, e duke qenë se edhe vetë e bëjnë të njejtën gjë, sa t’i lajmëron dikush për vizitë, e ngrejnë shtëpinë në këmbë, thua se po vjen fundi i botës. “Mos e bën këtë se po vijnë mysafirë, mos e bën atë se po vijnë mysafirë, mos ha bukë se po vijnë mysafirë, mos merr frymë se po vijnë mysafirë.” Mundohen me ia ndryshu rrjedhën e rutinës krejt shtëpisë, se po vijnë mysafirë. Përpiqen me e tregu nji imazh të rremë.

Është krejt në rregull dhe njerëzore të bësh mund për me i bë mysafirët të ndihen të mirëseardhur. Me i vendos në nji dhomë të pastër, me i shërby me aq sa ke mundësi, e mbi të gjitha me i pritë me zemër të pastër, e me i përcjellë pa fjalë pas shpinës së tyre.

Por kjo nuk do të thotë se duhesh me e sforcu nji fotografi të rreme për shtëpinë e familjen tënde. Nëse në shtëpi ke fëmijë, është shumë normale që me e pas dhomën të mbushur me lodra. Ka dallim mes një dhome të papastër dhe një dhome të tollovitur. Në shtëpinë ku fëmijës i lejohet me qenë fëmijë, çdoherë ka me pas nji dozë tollovie. Nëse në shtëpi ti i shfrytëzon radiatorët për t’i tharë rrobat gjatë dimrit, nuk ke nevojë me i fsheh pse po vijnë mysafirë. Se rrobat aty tregojnë se përpiqesh ta shfrytëzosh energjinë me mençuri dhe se je një menaxhere e mirë e resurseve të familjes.

Nëse fëmija ka nis e luan me një lodër në tavolinën ku ju i bëni qejfet, nuk është mikëpritje për mysafirin me i bërtit me e largu duke qajtë. Se është krejt normale për fëmijën me lujtë, edhe për të rriturit me e ditë se pse luan fëmija në tavolinë, nuk është kurgjë gabim.

Nëse ke fëmijë në shtëpi, është shumë normale që xhamat e tua të jenë me shenja gishtërinjsh. Se ke fëmijë që i prek gjithë kohën, dhe ti nuk je një leckë që nuk ke asnjë punë tjetër përveç pastrimit të atyre xhamave.

Prandaj, gra të dashura, çlirojeni veten dhe çlirojini të tjerët prej këtyre komplekseve toksike. Bëhuni të vërteta e të natyrshme, në vend që të përpiqeni në çdo situatë të jeni të përkryera.

Kur të shkoni te dikush për vizitë, shkoni që vërtetë të kaloni kohë me ata njerëz, t’ua pysni hallet e t’i ndani gëzimet. Nuk ju interesojnë as gishtat në xhama, as lodrat në tokë, as komentet për ushqimet që ju janë servuar. Shkoni me zemra të bardha, e dilni me gjuhë të heshtura. Bëhuni njerëz të mirë.