Në kohë Koronavirusi: Kryeministri holandez e emëron deputetin opozitar si Ministër të Shëndetësisë

0
1085

Kryeministri holandez, Mark Rutte ka emëruar një deputet të opozitës si ministër të ri të shëndetësisë, për të ndihmuar në luftimin e përhapjes së coronavirusit.

Martin van Rijn, ish sekretari shëndetësor i Partisë së Punës, është emëruar Ministër i Kujdesit Mjekësor mbi baza të përkohshme për 3 muaj.

“Ai ka disa vite përvojë në kujdesin shëndetësor dhe e njeh mirë këtë ministri”, ka thënë Mark Rutte në Twitter.

Van Rijn e merr përsipër detyrën që e ushtronte Bruno Bruins, i cili dha dorëheqje pasi u rrëzua nga lodhja gjatë, në një debat parlamentar që u zhvillua të mërkurën.

Ky vendim, ka marrë lëvdata të gjera në të gjithë politikën holandeze.

Udhëheqësi i Partisë së Punës, Lodewijk Asscher ka shprehur lavdërimet e tij për “të gjithë ata që ecin përpara gjatë kësaj kohe të vështirë”, duke shtuar se nëse ka krizë kombëtare, duhet vepruar me të gjitha mundësitë në dispozicion.

Martin Van Rijn do të punojë së bashku me Hugo de Jonge, Ministrin e Shëndetësisë, Mirëqenies dhe Sportit, në koordinimin e përgjigjes shtetërore ndaj shpërthimit të COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme, Holanda ka raportuar për 534 raste më shumë me coronavirus, derisa numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 2,994.