Në fundjavë mot më i butë, mundësi për riga lokale shiu

0
76

Zonat anticiklonike që po shtrihen mbi rajonin tonë, në ditët në vijim, do të favorizojnë mot kryesisht të kthjellët dhe me diell, derisa në aspektin termik mbetet mot i ftohtë, me tendencë të rritjes graduale të temperaturave maksimale. Në orët e mëngjesit do të ketë ngrica, e në vise të ulëta, ditën e premte edhe mjegull.
Në fundjavë do të mbajë mot më i butë, kryesisht me vransira, me mundësi për riga lokale shiu. Sipas parashikimeve të fundit nga mesi i javës së ardhshme, pritet depërtimi i një vorbulle ciklonike me masa të ftohta ajrore që mund të sjellin sërish të reshura bore.
Vlerat e cilësisë së ajrit parashihet që të përkeqësohen, për shkak të motit më stabil dhe të qetë që do të mbizotëroj në ditët në vijim, që do të rrisë koncentrimin e ndotësve pranë sipërfaqes tokësore. Vlerat e indeksit të kualitetit të ajrit do të kalojnë edhe në të pashëndetshme.

5.12 – Në mëngjes ngrica, pjesërisht vranët. Ditën kryesisht me diell.
6.12 – Kryesisht me diell. Në mëngjes ngrica, me mjegull në vise të ulëta, që vende-vende mund të mbetet edhe orëve të pasdites. Në mbrëmje mundësi për riga lokale shiu.
7.12-8.12 – Të shtunën, herët në mëngjes riga lokale shiu, vende-vende shi i akullt. Ditën më butë, me vransira të ndryshueshme. Ditën e diel, butë, kryesisht me vransira.
9.12 – Butë, kryesisht me vransira dhe intervale me diell. Në mbrëmje priten reshje shiu.

Temperaturat e ajrit gradualisht do të rriten mbi vlera mesatare për këtë periudhë kohore. Minimalet do të luhaten nga -4C deri në +4C, në fundjavë, ndërsa maksimalet nga 5C deri në 11C.
Era do të fryejë e lehtë nga krahu jugor 1-4m/s.
Shtypja atmosferike do të mbetet mbi vlera normale, e deri në fillim të javës së ardhshme do të zbres nën këto vlera.