Mobilizim i paparë për filmin “Zana”, Adriana Matoshi ka disa fjalë për shqiptarët

0
343

Një thirrje e aktores Adriana Matoshi mobilizoi të gjithë dashamirët e filmit të cilët brenda 24 orëve arritën që vlerësimin e filmit “Zana” në IMDB ta rikthejnë nga 3.9, në 9.3.

Kjo pasi kishte pasur një votim të organizuar kundër këtij filmi dhe vetëm brenda natës kishte marrë mbi 100 vota me nga 1 pikë nga 10 sa janë total në IMDB.

E duket se votim ishte i organizuar nga dikush që nuk i do të mirën kinematografisë kosovare, pasi nota e ulët në IMDB (faqja kryesore e vlerësimit të filmave në botë) ndikon direkt edhe në imazhin e filmit.

E kontaktuar nga PORTALI.info Adriana Matoshi ka folur më detajisht rreth kësaj çështje.

“Mbrëmë, pasi mora informacionin që kishte qenë një votim I organizuar kundër filmit Zana,  e kam postuar një status në faqen time private  në Facebook që me u mobilizu të gjithë dhe me e votu filmin me notën 10. Vetëm në Facebook-un tim ka pasur mbi 500 share, dhe pastaj kam postuar edhe tek grupet  “Maniak t’filmave” dhe “Albanian Girls”, dhe faqet “Katunars”, “Highzoneoffical” etj.

“Përveç kësaj ka pas mobilizim edhe në rrjetet sociale Twitter, Instagram si dhe faqe që kanë mijëra ndjekës e kanë shpërndarë lajmin, poashtu njerëz të njohur e panjohur janë mobilizuar” shtoi ajo.

E për këtë mobilizim të paparë ndonjëherë rreth ndonjë filmi, Adriana ka disa fjalë për shqiptarët: ‘nuk di tjetër çfarë të them përveç se t’a falënderoj secilin veç e veç për përkushtimin dhe mobilizimin e madh që e kanë bërë dhe po e bëjnë edhe në këto momente që flasim. Pra në asnjë moment votat nuk po ndalen” shtoi Matoshi.

Edhe Qendra Kinematografike e Kosovës kishte shpreh shqetësim për votimet kundër këtij filmi që janë bërë dhe në rrjetin social Facebook kanë shpërndarë thirrjen e Adrianës.

PORTALI.info, ka kontaktuar edhe me regjisoren e filmit Antoneta Kastratin e cila ka thënë se nuk ka ndonjë dyshim se nga kush mund të jetë bërë kjo.

“Nuk e di çka ka ndodh dhe nuk kam supozime” ka thënë ajo.

Deri tash filmi ka marrë 2865 vota, nga të cilat 2660 janë me notën 10-të.

Ndryshe filmi “Zana” është përzgjedhur nga komiteti selektues i Qendrës Kinematografike të Kosovës që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë “Best International Feature” për çmimin Oscar.

“Zana”, film debutues i Antoneta Kastratit, pati premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanada.

Filmi “Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës.