Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë: Njësitë akomoduese dhe pushuesit të respektojnë protokollet e sigurisë

Bizneset dhe njësitë akomoduese të respektojnë protokollet e sigurisë antiCovid. Apeli i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shkon edhe për gjithë qytetarët, në kushtet e rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19.

Dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kujtuar sot edhe njëherë rëndësinë e zbatimit të protokollit të sigurisë. Ajo nënvizon se janë 28 qendra shëndetësore verore janë në dispozicion të pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për situatën Covid

“Ministria e Shëndetësisë fton bizneset dhe njesitë akomoduese të respektojnë protokollet e sigurisë: Distancën fizike, maskën e detyrueshme në shërbim dhe të kryejnë dezinfektimin dhe higjienizimin e vazhdueshëm të ambienteve”,- theksoi Beqo.

“Një kujtesë edhe për pushuesit: Respektoni distancën me të tjerët që nuk janë familjarët tuaj dhe kujdesuni për higjienën vetjake. 28 qendra shëndetësore verore janë në dispozicion të pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për situatën Covid”, sqaron ajo.

“Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga Covid19, telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes”, mbyll deklaratën Beqo. /ATSH