Ministri Selimi: Procesi i llogaridhënies të bashkëdyzohet me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe

0
42

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, ka mbajtur takimin e parë me Grupin e Ekspertëve të pavarur për dizajnimin e parimeve udhëheqëse dhe skenarëve të reformës së Vettingut.

Në konferencë për media, ministri Selimi tha se gjatë këtij takim është njoftuar për punën e deritanishme të Grupit të Ekspertëve të Vettingut dhe për disa çështje specifike që kanë të bëjnë me sistemin e llogaridhënies.

“ Personalisht kam paraqitur qëndrimin tim që në këtë proces të kemi gjithëpërfshirje. Për më shumë, për ne është e rëndësishme që ky proces i llogaridhënies të bashkëdyzohet me hisedarët tjerë siç janë SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe dhe të tjerët që kanë kontribuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi tregoi se ka marrë mbështetje edhe nga institucionet e drejtësisë si Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor që të jenë pjesë e një sistemi gjithëpërfshirës.

“ Pra nëse kemi gjithë përfshirje, të gjithë e dinë që kemi objektivitet dhe ky objektivitet duhet të formohet edhe me ato palë që potencialisht nuk mund të pajtohen mes vete, por këto mospajtime dhe gjetja e të vërtetës duhet të diskutohen bashkë“, tha ministri Selimi.

Ndërsa zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e reformës në drejtësi duke përfshirë gjithë akterët relevant.

“ Jemi shumë të përkushtuar që në Kosovë të ketë hapa konkret në fuqizimin e sundimit të ligjit, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe tashmë jemi në fazën ku do të përcaktojmë modelet më të mira se cilat janë ato”, tha zëvendëskryeministri Selmanaj.