Mësoni për betimin e Hipokratit

0
1287

Një betim i lashtë që ka vlerë edhe sot

RRETH vitit 400 p.e.s., Hipokrati, një mjek grek që njihet nga të gjithë si babai i mjekësisë, shkroi betimin hipokratian. Parimet e larta etike që gjenden në këtë betim ende udhëheqin profesionin e mjekut. A ju është mësuar kështu? Nëse po, nuk jeni të vetmit. Por, a është njëqind për qind e vërtetë?

Faktet na tregojnë se mund të mos ketë qenë Hipokrati autori i betimit që mban emrin e tij. Për më tepër, sot ata që kanë profesionin e mjekut jo gjithnjë janë pro versionit fillestar të këtij betimi.

A e dimë se kush e shkroi në të vërtetë këtë betim të lashtë? Pastaj, edhe po ta dimë, a ka vlerë për ne sot ky betim?

A e shkroi Hipokrati betimin?

Ka disa arsye për të dyshuar nëse ishte vërtet Hipokrati autori i betimit. Një arsye është se betimi fillon me zotimin në emër të disa hyjnive. Mirëpo Hipokrati njihet si njeriu i parë që e ndau mjekësinë nga feja dhe që kërkoi shkaqet fizike të sëmundjeve e jo ato të mbinatyrshme.

Për më tepër, disa gjëra që janë ndaluar në këtë betim nuk ishin në kundërshtim me mënyrën se si praktikohej mjekësia në kohën e Hipokratit. (Shih kutinë në faqen 21.) Për shembull, gjatë kohës së Hipokratit, aborti dhe vetëvrasja nuk dënoheshin nga ligji ose nga shumica e normave fetare. Po ashtu, individi që bën betimin premton se nuk do të merret me kirurgji po të mos jetë kirurg. Por nga ana tjetër metodat kirurgjikale janë pjesë e koleksionit hipokratian. Ky përfshin një sërë botimesh mjekësore që shpesh i atribuohen Hipokratit dhe shkrimtarëve të tjerë të lashtë.

Prandaj, ndonëse kjo çështje është ende objekt diskutimesh nga studiuesit, ka shumë mundësi që betimin hipokratian në të vërtetë të mos e ketë shkruar Hipokrati. Filozofia që shprehet në betim duket se përkon më shumë me pitagorianët e shekullit të katërt p.e.s., të cilët përkrahnin disa ideale për shenjtërinë e jetës dhe ishin kundër procedurave kirurgjikale.

I bie dhe i rritet përsëri vlera

Pavarësisht se kush ishte në të vërtetë autori i betimit, ajo që nuk mund të vihet në dyshim është ndikimi domethënës që ka pasur ky betim në mjekësinë perëndimore dhe në veçanti në fushën e etikës. Ky betim është quajtur «pika kulmore e zhvillimit të koncepteve të padiskutueshme etike në mjekësi», «baza e marrëdhënieve pacient-mjek në botën e zhvilluar» dhe «pika më e lartë e etikës morale profesionale». Në vitin 1913, sër Uilliam Osleri, mjek i famshëm kanadez, tha: «S’ka shumë rëndësi nëse ky betim i përket kohës së Hipokratit apo jo . . . Për njëzet e pesë shekuj ai ka qenë ‘kredoja’ e mjekësisë dhe, në shumë universitete, është ende formula që thuhet kur merr diplomën për mjekësi.»

Megjithatë, në fillim të shekullit të 20-të pati një periudhë kur betimi s’pëlqehej shumë, ndoshta për shkak të zhvillimeve shkencore që po ndodhnin në atë kohë. Në një atmosferë ku gjithnjë e më shumë po u jepej rëndësi arsyes dhe logjikës, betimi mund të jetë dukur si diçka e vjetër e që s’hynte më në punë. Por, me gjithë zhvillimet shkencore, nevoja për parime etike mbetet gjithnjë. Ndoshta kjo është arsyeja që betimi ka filluar të pëlqehet përsëri dhjetëvjeçarët e fundit.

Për shumë mjekë, bërja e betimit është bërë përsëri pjesë e rëndësishme e procedurës së hyrjes në fakultetin e mjekësisë ose të diplomimit prej tij. Një sondazh i bërë në vitin 1993 nëpër fakultetet e mjekësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada tregoi se 98 për qind e atyre shkollave kishin në procedurat e tyre një lloj betimi. Në vitin e largët 1928, vetëm 24 për qind e shkollave të larta vepronin kështu. Në Mbretërinë e Bashkuar, një sondazh i ngjashëm tregoi se rreth 50 për qind e fakulteteve të mjekësisë përdorin aktualisht një betim ose një deklaratë. Në Australi dhe në Zelandën e Re, shifra është po ashtu rreth 50 për qind.

Ndryshon bashkë me kohërat

Gjithsesi, betimi hipokratian nuk ka mbetur i pandryshuar. Gjatë shekujve i janë bërë ndryshime për të pasqyruar bindjet që mbizotëronin në të ashtuquajturin krishterim. Nganjëherë i janë bërë ndryshime për të prekur çështje të tjera, si për shembull rastin e viktimave të epidemive. Kohët e fundit është ndryshuar për të qenë në përputhje me mentalitetin modern.

Në shumë versione të betimit, janë hequr konceptet që nuk paraqesin praktikat e mjekësisë moderne dhe janë shtuar ideale të tjera që janë të rëndësishme për shoqërinë bashkëkohore. Për shembull, sot parimi i vullnetit të lirë të pacientit mund të zërë një vend kryesor në ushtrimin e profesionit të mjekut, por në mjekësinë e lashtë greke s’kishte koncept të tillë e prandaj nuk ishte pjesë e betimit hipokratian. Koncepti i të drejtave të pacientit përbën një pjesë të rëndësishme të shumë deklaratave që përdoren në kohën tonë.

Veç kësaj, marrëdhënia mjek-pacient ka ndryshuar, sepse janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme koncepte të tilla, si e drejta e pacientit për ta miratuar një trajtim pasi të jetë informuar për të. Prandaj, është e kuptueshme pse vetëm pak fakultete të mjekësisë përdorin ende betimin hipokratian në formën e tij të hershme.

Ndryshime të tjera që i janë bërë betimit janë ndoshta më të habitshme. Në vitin 1993, vetëm 43 për qind e betimeve që bëheshin në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada përfshinin zotimin që mjeku do të konsiderohej përgjegjës për veprimet e tij. Po ashtu, shumica e versioneve moderne nuk përfshijnë asnjë ndëshkim për shkeljen e kushteve të paraqitura aty. Më pak akoma ishin përfshirë mospranimi i eutanazisë, i abortit, si edhe betimi në emër të ndonjë hyjnie, kurse betimi për të mos pasur kontakte seksuale me pacientët ishte vetëm në 3 për qind të deklaratave që përdornin fakultetet ku u bë sondazhi.

Vlera e një betimi

Pavarësisht nga ndryshimet e shumta që i janë bërë betimit hipokratian, përdorimi i betimeve shpesh shihet si një gjë e rëndësishme për një profesion që i është përkushtuar idealeve shumë fisnike dhe morale. Në sondazhin e vitit 1993, për të cilin u fol më parë, u zbulua se shumica e betimeve që përdoren sot përqendrohen në zotimin që marrin mjekët kundrejt pacientëve. Mjekëve të ardhshëm u kërkohet të premtojnë se do të bëjnë çmos për t’u kujdesur për pacientët e tyre. Kjo gjë e përqendron vëmendjen te parimet e denja morale që qëndrojnë në themel të profesionit të mjekut.

Në një kryeartikull të botuar në The Medical Journal of Australia, profesori Edmund Pelegrino shkroi: «Ndoshta për shumë veta sot betimi i mjekut është si një copëz e mbetur nga një imazh i vjetër i dëmtuar. Por, në mentalitetin e mjekëve nga ky imazh mbetet aq sa duhet për të na sinjalizuar që të mos e harrojmë plotësisht atë, pasi kjo do të nënkuptonte ta kthenim mjekësinë në një sipërmarrje tregtare, industriale ose vetëm për përfitim personal.»

Ka shumë të ngjarë që debati nëse kanë vlerë sot betimi hipokratian dhe deklaratat moderne që kanë dalë prej tij do të vazhdojë të ekzistojë ndërmjet studiuesve. Por, cilido qoftë rezultati, zotimi i mjekëve që të kujdesen për të sëmurët mbetet ende diçka që duhet vlerësuar shumë.

BETIMI I HIPOKRATIT

SIPAS PËRKTHIMIT NË GJERMANISHT NGA LUDVIG EDELSHTAJNI

Betohem në emër të Apolon mjekut, të Asklepit, të Igeas, të Panaceas dhe të gjithë perëndive e perëndeshave, duke i thirrur si dëshmitarë, se do të plotësoj, sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim e këtë zotim:

Do ta konsideroj atë që më mësoi këtë profesion njësoj si prindërit e mi dhe do të bashkëpunoj me të gjithë jetën, e po të ketë nevojë për para, do t’i jap nga të miat; do t’i konsideroj fëmijët e tij njësoj si vëllezërit e mi dhe do t’ua mësoj këtë profesion, nëse dëshirojnë ta mësojnë atë, pa pagesë e kontratë; do t’u përcjell parimet, udhëzimet gojore dhe çdo mësim tjetër bijve të mi dhe bijve të atij që më mësoi, si edhe nxënësve që kanë firmosur kontratën dhe kanë bërë betimin sipas ligjit mjekësor, por askujt tjetër përveç këtyre.

Do t’u caktoj të sëmurëve dieta për dobinë e tyre, sipas aftësive dhe gjykimit tim; do të kujdesem që të mos pësojnë dëme dhe padrejtësi.

Nuk do t’i jap ilaç vdekjeprurës askujt që më kërkon një të tillë, dhe as do të sugjeroj diçka me këtë qëllim. Po ashtu, nuk do t’i jap një gruaje ilaçe për abort. Me pastërti dhe shenjtëri do të ruaj jetën time dhe profesionin tim.

Nuk do të përdor thikën, as tek ata që vuajnë nga gurët, por do t’ua lë atyre njerëzve që merren me këtë punë.

Në çdo shtëpi që të shkoj, do të shkoj për dobinë e të sëmurëve, pa pasur ndër mend asnjë padrejtësi të qëllimshme, asnjë të ligë dhe sidomos marrëdhënie seksuale qoftë me femra, qoftë me meshkuj, të lirë ose skllevër qofshin.

Çfarëdo që të shoh a të dëgjoj gjatë trajtimit të një të sëmuri ose edhe jashtë trajtimit, në lidhje me jetën e njerëzve, dhe që në asnjë mënyrë nuk duhen bërë të ditura në publik, do t’i mbaj për vete, duke e konsideruar të turpshme të flas për to.

Në qoftë se e përmbush këtë betim dhe nuk e shkel, m’u lejoftë të gëzoj jetën dhe profesionin e mjekut, duke u nderuar e duke qenë me famë ndër të gjithë njerëzit për kohën që do të vijë; në qoftë se e shkel betimin dhe bëj një betim të rremë, më ndodhtë e kundërta e gjithë kësaj.