Mësoni kush dhe si i shpiku shkronjat e lëvizshme dhe përsosi shtypshkronjën

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të tetin me radhë e ka Johan Gutenberg.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit

Nr VII 

Johan Gutenberg

          1400-1468

 

Shpesh, Johan Gutenbergun e quajnë si zbuluesin e shtypshkronjës.

E vërteta është se ai shpiku shkronjat e lëvizshme dhe përsosi shtypshkronjën, me anën e së cilës u mundësua riprodhimi i shpejtë dhe i saktë i çdo materiali të shkruar.

Shumë shpikje që nga fillimi deri në fund nuk janë përpunuar nga i njëjti njeri, ndërsa shpikja e shtypshkronjës po. Stampimi dhe unazat për të botuar, që punojnë sipas parimit të ksilografisë, janë përdorur që në kohët më të vjetra.

Ksilografia është njohur në Kinë shumë shekuj para lindjes së Gutenbergut dhe është fakt,se aty është zbuluar libri i botuar rreth vitit 868.

Gjithashtu, kjo teknologji në perëndim ishte njohur që para Gutenbergut. Ksilografia jep mundësinë për t’u shtypur më shumë kopje nga një libër. Megjithatë, kjo mënyrë e prodhimit ka një të metë të madhe: për çdo libër të ri duhet përpunuar gravura të reja, ose pllaka, gjë që vështirësojnë shumë ose e bëjnë të pamundur shumëfishimin e librave të ndryshëm.

Ndonjë mendon, se merita kryesore e Gutenbergut është prodhimi i shkronjave të lëvizshme. Por, në të vërtetë, shkronjat lëvizore i ka zbuluar kinezi Pi Sheng, që në mesin e shekullit XI.

Pi Shengu i përpunoi shkronjat e tij nga glina, që nuk është e qëndrueshme; megjithatë, kinezë të tjerë e ndonjë korean kanë bërë disa përmirësime; ndërsa koreanët i kanë përdorur shkronjat metalike shumë kohë para Gutenbergut. Është fakt që, në fillim të shekullit XV,në Kore kanë ekzistuar fonderi për prodhimin e shkronjave. Përballë këtyre nuk duhet vlerësuar Pi Shengu si personalitet i veçantë: Së pari, Evropa nuk i mori shkronjat lëvizëse nga Kina, po i krijoi vetë.

Së dyti, shkronjat lëvizëse për botim, në Kinë janë përdorur shumë vonë, në kohët më të reja, kur në perëndim përdorej shtypja moderne e librave.

teknika bashkëkohore e shtypit përbëhet nga katër komponentë kryesorë: Së pari, nga shkronjat lëvizore së bashku me mënyrën e renditjes dhe fiksimit të tyre; së dyti, nga makina e prodhimit; së treti, nga boja dhe së katërti, nga letra përkatëse, që përdoret për të shtypur. Siç e dimë tani, letra është zbuluar që në shekullin e parë nga kinezi Çaj Lun dhe në Evropë është përdoru shumë kohë përpara Gutenbergut.

Letra, është i vetmi element, që mori Gutenbergu dhe nuk e krijoi vetë.

Edhe pse, para tij, ishin përpunuar deri diku elementet e tjera, ai zbuloi substancat më të mira. Për shembull, ai krijoi metodën për përpunimin e shkronjave, kallëpet për derdhje të saktë, bojën e yndyrshme të shtypit dhe makinën e shtypit.

Por, merita e tij është shumë më e madhe se zbulimi dhe përmirësimi i këtyre elementeve. Rëndësia e tij themelore qëndron në faktin, se ai diti që të gjitha këto elemente të shtypit t’i bashkonte në një sistem prodhues të frytshëm.

Shtypi, në ndryshim nga të gjitha zbulimet e mëparshme, është teknologjia për prodhimin masiv. Edhe pushka, është armë më e frytshme se laku ose shigjeta.

Ndikimi i librit të botuar nuk është i ndryshëm nga ai i dorëshkrimit. Epërsia e produktit të shtypit është në prodhimin masiv.

Dhe, Gutenbergu, nuk zbuloi makina të veçanta dhe as i përsosi ato, por krijoi teknologjinë e plotë të prodhimit. Të dhënat biografike për Gutenbergun nuk janë të pasura.

Dihet se ai është lindur rreth vitit 1400 në Majnc të Gjermanisë. Zbulimet e tij për shtypshkronjën janë bërë nga mesi i shekullit XV, ndërsa botimi i tij kryesor, Bibla, është shtypur rreth viteve 1454-1455.Është e çuditshme, që emri i Gutenbergut nuk ndodhet në asnjë nga librat e botuara prej tij, madje as në Bibël, që njihet si Bibla e Gutenbergut.

Nga kjo del, që ai nuk ka qenë tregtar i mirë dhe nuk ka ditur të pasurohet. Madje, është akuzuar në gjyq, dhe një herë është dënuar me konfiskimin e makinerive të shtypshkronjës, në dobi të partnerit të tij, Johan Fust. Gutenbergu vdiq në qytetin e lindjes në vitin 1468.

Përcaktimi i figurës së tij lidhur me ndikimin në historinë njerëzore, mund të dalë nga krahasimi që mund t’i bëhet zhvillimit të Kinës dhe Evropës. Në kohën kur lindi Gutenbergu, të dyja këto vende ishin në një nivel të afërt teknik. Por, që kur Gutenbergu zbuloi shtypshkronjën moderne, Evropa përparoi me hapa shumë më të shpejta, sesa Kina, që përdorte ende ksilografinë e zhvillohej ngadalë. Argument është më i fortë, në qoftë se mbështesim idenë se shtypshkronja moderne ka qenë i vetmi shkak për këtë ndryshim. Pra, roli i saj ka qenë i jashtëzakonshëm. Edhe, në qoftë se Belli nuk do të kishte lindur, thuajse është e sigurt se telefoni do të zbulohej patjetër në atë kohë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zbulime të tjera. Por, pa Gutenbergun, zbulimi i shtypshkronjës moderne për prodhimin masiv të librave, me të vërtetë do të vonohej me breza. Kur gjykojmë ndikimin vendimtar të botimit të librave në zhvillimin e historisë njerëzore, atëhere themi se Gutenbergu e meriton plotësisht vendin në krye të këtij libri.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, i nënti është Kristofor Kolombi.