Mësoni deri në detaje pse Albert Ajnshtajn është në 10 njerëzit më me ndikim në botë

0
1126

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të dhjetin e ka Albert Ajnshtajnin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit

Nr X

Albert Ajnshtajn

             1879-1955

 

Albert Anjshtajni, shkencëtari më i madh i shekullit XX dhe një nga mendjet më të ndritura të të gjitha kohërave, është i njohur më shumë për teorinë e relavitetit. Në të vërtetë, bëhet fjalë për dy teori : teoria speciale e relativitetit, e formuluar në vitin 1905, dhe teoria përgjithshme e relativitetit, e formuluar në vitin 1915,e cila quhet edhe Ligji i Ajshtajnit, por do të themi diçka për teorinë speciale.

“Çdo gjë është relative”-është maksimë e njohur. Teoria e Anjshtajnit nuk është përsëritje e këtij mendimi filozofik banal, por është një formulë e saktë matematike për raportet midis pafundësive shkencore. Është e qartë se kuptimi subjektiv i kohës dhe i hapësirës  varet nga njeriu. Para Ajnshtajnit besohej se pas perceptimeve subjektive ekzistojnë largësi reale dhe kohë absolute,që mund të maten objektivisht me mjete të sakta. Teoria e Ajnshtajnit sjell ndryshime rrënjësore në mendimin shkencor kur hedh poshtë ekzistencën e kohës absolute. Shembulli i mëposhtëm do të na tregojë se si teoria e tij e shndërroi në mënyrë rrënjësore imagjinatën tonë për hapësirën.

Marrim një anije kozmike “X” që largohet nga toka me 100.000 km/sek. Shpejtësia matet si brenda anijes, ashtu edhe në tokë. Vlerat përputhen. Në të njëjtën kohë, anija “Y” fluturon drejt “X”-it,por me një shpejtësi shumë më të madhe.

Në qoftë se matet nga toka, do të vihet re se anija “Y” largohet me një shpejtësi 180.000 km/sek. Edhe matja në anijen “Y” jep të njëjtën vlerë. Kur të dyja anijet lëvizin në të njëjtin drejtim, në vështrim të parë duket sikur ndryshimi i shpejtësisë së tyre është 80000 km/sek dhe anija më e shpejtë  largohet nga më e ngadalshmja po me atë shpejtësi. Por sipas teorisë së Ajnshtajnit, matjet e të dy anijeve që përputhen plotësisht, tregojnë se largësia midis tyre rritet me shpejtësinë 100000 km/sek dhe jo me 80000 km/sek. Ky rezultat duket shumë absurd dhe lexuesi mund të mendojë se kemi të bëjmë me një lojë fjalësh gjuhësore, ose me ndonjë gabim. Këtu nuk kemi të bëjmë as me ndonjë rastësi. Rezultati nuk është i lidhur me veçoritë e konstruksionit të anijeve dhe as me forcat që i venë në lëvizje.

Po ashtu, nuk bëhet fjalë për gabime në matje dhe as për defekte të matjes. Këtu nuk ka asnjë hile. Sipas Ajnshtajnit, rezultati  i fituar (që del shumë lehtë nga formula e tij për shpejtësinë) është pasojë  vetëm e karakteristikës themelore të kohës dhe hapësirës. E gjithë kjo mund të duket shumë teorike. Me vite të tëra shumë vetë teorinë e relativitetit e quajtën si teori pa rëndësi praktike. Megjithatë, pas vitit 1945,pas hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, asnjeri nuk lejoi më një gabim të tillë. Një nga përfundimet e Ajnshtajnit për relativitetin është se materia dhe energjia janë të drejtpeshuara, ndërsa raporti midis tyre shprehet me formulën E=MC2,ku E është energjia, M masa dhe C shpejtësia e dritës.

Duke parë që C (300000 km/sek) është një numër shumë i madh, atëherë  C2(CxC) është çuditërisht i madh. Nga kjo del se shndërrimi i pjesshëm i sasive të vogla të materies çliron sasi të jashtëzakonshme të energjisë. Por, nuk është e mundur të ndërtohen bomba atomike apo të ndërtohen centrale atomike vetëm me ndihmën e formulës E=MC2 . Nuk duhet harruar se edhe shkencëtarët e tjerë kanë luajtur rol të rëndësishëm për krijimin e energjisë atomike, por rëndësia e ndihmesës së Ajnshtajnit është e pakundërshtueshme.

Krahas kësaj, në letrën e dërguar Presidentit të SHBA, Rusvelt në 1939,Ajnshtajni vërtetoi mundësinë e ndërtimit të armës atomike, gjë që e nxiti atë ta prodhonte para Gjermanisë.

Në sajë të kësaj letre lindi “Projekti Manhatan”,rezultat i të cilit ishte bomba atomike. Teoria speciale e relativitetit shkaktoi mosmarrëveshje të mëdha edhe pse të gjithë ishin të mendimit se ajo ishte oferta më e çuditshme që kishte ndodhur. Teoria e përgjithshme e relativitetit e Ajnshtajnit si pikënisje merr përfundimin se graviteti nuk është rezultat i forcave, në kuptimin normal të fjalëve, por është rezultat i shformimit të vetë hapësirës – me të vërtetë një mendim i çuditshëm. Si mund të matet shformimi i hapësirës? Ç’kuptohet kur thuhet se hapësira është e shformuar? Ajnshtajni, jo vetëm që e parashikoi këtë teori, por paraqiti me formulë të qartë matematike bazën me anën e së cilës mund të bëhen parashikime kategorike, që vërtetojnë teorinë.

Shkencëtarët skrupolozë, midis tyre edhe ata që merreshin me errësimin e plotë të diellit, me shumë vështirësi e vërtetuan të vërtetën e formulës së Anjshtajnit.

Teoria e përgjithshme e relativitetit dallon në disa drejtime nga tërë ligjet e tjera shkencore. Para së gjithash, Ajnshtajni nuk e realizoi teorinë e tij në bazë të eksperimenteve të zhvilluara, por falë simetrisë dhe elegancës matematike dhe organizimit racional, ashtu siç vepronin filozofët antikë dhe skolastikët e mesjetës (kjo është në kundërshtim me metodat kryesore empirike të shkencës moderne).Ndërsa mendjet antike, duke kërkuar bukurinë dhe simetrinë nuk arritën asnjëherë të zbulonin teorinë mekanike, që do të përballonte provën eksperimentale, Ajnshtajni i përballoi me sukses të gjitha provat eksperimentale. Teoria e përgjithshme e relativitetit, sipas pohimit të përgjithshëm, është teoria më e mirë, më elegante, më e fortë dhe e menduar më thellë nga të gjitha teoritë e tjera shkencore. Teorinë e relativitetit e zbukuron edhe një e dhënë tjetër. Me sa jemi në dijeni, teoria e përgjithshme e relativitetit nuk ka përjashtime.

Praktikisht, nuk ka situata teorike apo eksperimentale që ajo të provohet me afërsi nëse është e saktë. Përpjekjet eksperimentale në të ardhmen mund ta turbullojnë qartësinë e përsosur të saj. Megjithatë, edhe sot teoria e përgjithshme e relativitetit mbetet më pranë së vërtetës absolute të arrirë nga çdo shkencëtar.

Edhe pse Ajnshtajni njihet më tepër për teorinë e relativitetit, arritjet e tjera shkencore të tij janë gjithashtu të mjaftueshme për ta vendosur emrin e tij ndër njerëzit më të shquar. Në të vërtetë ,Çmimin Nobel për fizikë Ajnshtajni e mori për sqarimin që i bëri efektit fotoelektrik-një arritje e rëndësishme që i hutoi për një kohë të gjatë fizikanët. Në të ai flet për qëndrueshmërinë e fotoneve, thërrmijave të dritës.

Duke u mbështetur në faktin që më parë ishte vërtetuar eksperimentalisht se drita përbëhet prej valëve  elektromagnetike, ndërsa mendohej se valët dhe grimcat ishin koncepte të papajtueshme, hipoteza e Ajnshtajnit ka zbatime të thella, deri edhe shpërthim paradoksal në teorinë klasike. Teza e tij për fotonet gjen zbatim praktik, provon dhe ndikon vendosmërisht në zhvillimin e teorisë kuantike, e cila sot është e domosdoshme. Në vlerësimin e rëndësisë së Ajnshtajnit, krahasimi me Njutonin mund të jetë karakterisitk. Teoritë e Njutonit, të marra në përgjithësi, kuptohen lehtë dhe  merita e tij është se ishte i pari që i zbuloi ato. Nga ana tjetër, dy teoritë e relativitetit të Ajnshtajnit kuptohen me shumë vështirësi, madje edhe kur dëgjohen me shumë vëmendje. Në situatat kur ndonjë nga ligjet e Njutonit ishte në kundërshtim me arritjet e deri atëhershme shkencore, të dhënat e tij teorike ishin gjithmonë logjike.

Përballë kësaj teoria e relativitetit zien nga paradoksi. Në fillim, kur pikëpamjet e Ajnshtajnit ishin hipoteza të pa vërtetuara të një të riu çfarëdo, dukuritë kontradiktore nuk e dëshpëruan dhe as e detyruan të tërhiqej. Pikërisht ky ishte elementi i gjenialitetit të tij. Përballë kësaj, ai për së dyti dhe me vëmendje i studio me themel hipotezat e tij derisa arriti të tregonte, se ato kundërshti ishin vetëm fantazi dhe se gjithnjë gjendet mënyra e saktë, edhe pse ndërlikuar, për të zgjidhur njërin ose tjetrin paradoks.

Sot mendohet, se teoria e Ajnshtajnit, në thelb është “më e saktë” nga ajo e Njutonit. Atëherë, pse e vemë Ajnshtajnin pas Njutonit? Para së gjithash për atë, që ligjet e Njutonit vendosën bazat e shkencës dhe teknikës bashkëkohore. Ekziston edhe një faktor tjetër, që përcakton vendin e Ajnshtajnit në këtë libër. Në shumicën e rasteve, jo një, po shumë shkencëtarë kanë sjellë ndonjë ide të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë.

Merita për zbulimin e teorisë së relativitetit mund të mos i takojë plotësisht Ajnshtajnit, por kryesisht i takon atij. Është me vend të themi, që në krahasim me ide të tjera të mëdha, dy teoritë e relativitetit janë vepër e një gjeniu të jashtëzakonshëm. Ajnshtajni është lindur në vitin 1879 në Ulm të Gjermanisë. Gjimnazin e kreu në Zvicër dhe në vitin 1900 u bë shtetas zviceran. Në vitin 1905 mbrojti disertacionin për doktoratë në Universitetin e Zyrihut, por nuk fitoi vendin e mësuesit. Të njëjtin vit botoi punimet për teorinë speciale të relativitetit, për efektin fotoelektrik dhe lëvizjen e valëve. Vetëm pas disa vjetësh, këto punime e veçanërisht teoria e relativitetit, vërtetuan se Ajnshtajni ishte shkencëtari më i shkëlqyer dhe më origjinal i botës.

Teoritë e tij shkaktuan diskutime të zjarrta. Nuk ka shkencëtar tjetër në kohërat më të reja, me përjashtim të Darvinit, që të ketë shkaktuar kaq diskutime dhe debate me teoritë e tij. Si rrjedhim e gjithë kësaj, në vitin 1913,Ajnshtajni u emërua profesor në Universitetin e Berlinit, drejtor në Institutin e Fizikës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Prusisë. Këto funksione i dhanë mundësinë për t’iu kushtuar kryesisht punës shkencore.

Qeveritarët gjermanë nuk kishin arsye të ankoheshin për favoret e krijuara Ajnshtajnit, sepse vetëm pas dy vjetësh ai formuloi me sukses teorinë e përgjithshme të relativitetit dhe në vitin 1921 u nderua me Çmimin Nobel. Në gjysmën e dytë të jetës, fama e tij u përhap në tërë botën. Ai mund të jetë edhe shkencëtari më i njohur i të gjithë kohërave.

Me ardhjen e Hitlerit në fuqi, pozitat e Anjshtajnit, që ishte hebre, u ndërlikuan në Gjermani. Në vitin 1933 u strehua në Princeton, SHBA, ku u pranua në punë në Institutin e Studimeve të Përparuara. Në vitin 1940 mori shtetësinë amerikane. Martesa e parë e Anjshtajnit  përfundoi me shkurorëzim; e dyta ishte me fat.Pati dy fëmijë e të dy djem. Ajnshtajni vdiq në Priceton në vitin 1955.Ajnshtajni interesohej vazhdimisht edhe për shoqërinë, duke shfaqur shpesh mendimet e veta për probleme politike. Deri në fund të jetës ai ka qenë kundërshtar i tiranisë politike. Si temperament ishte i dashur dhe përkrahës i sionizmit. Në të veshurin e përditshëm ishte origjinal. Gjatë komunikimit, ishte i thjeshtë dhe me një humor të hollë. Përdorte pak edhe violinën.

Epigrafi mbi varrin e Njutonit,mund të flasë më shumë për Ajnshtajnin:”Të vdekurit e zakonshëm të gëzohen që gjinia njerëzore ka patur një stoli të tillë të shkëlqyer!”

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, i 11’i është Lui Paster .