Mësojeni kush ishte Merita Sokoli Tezha

0
636

Që në moshë të vogël ajo u shqua nga talenti i rrallë për muzikën dhe zërin e saj të mrekullueshëm, zë i cili tërhoqi vëmendjen e profesor Kozmos, pedagog i muzikës në Liceun Kombëtar të Korçës. Në moshën 14-vjeçare, Merita Sokoli nisi të këndonte si soliste në Radio Experimental Tirana. Në koncertet e shumta në Tiranë dhe Korçë, në këngët popullore,

Merita shoqërohej në piano nga Pjetër Dungu, ndërsa në këngët klasike shoqërohej nga Tonin Guraziu.

Në vitin 1939, Merita shkoi për studime në Itali, në Akademinë Nacionale të Santa Cecilia, në Romë, institucion në të cilin kishin studiuar edhe të famshmit, Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Ennio Morricone, Franco Donatoni, Preng Jakova, etj.

Studimet e saj përfunduan në gusht të vitit 1944, me pedagogun Ricardo Stracati, duke marrë edhe mësime private nga Mark Antoni, pedagog i të famshmit Mario del Monaco.

Merita është ndër aktore e para shqiptare, me rol kryesor së bashku me Kristaq Antoniun, në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Takim në Liqen”, i cili u xhirua në Shkodër dhe në Manastirin e Shën Naumit në Pogradec, në vitin 1942, por që u shfaq vetëm në Itali.

Gjatë pushimeve të shkollës ajo angazhohej gjithmonë me aktivitete artistike në Tiranë dhe Korçë. Pasi u kishte hyrë në zemër, korçarët e quanin “Bilbili i Qytetit”.

Në vitin 1943, dha një koncert recital në kinema “Majestik” me këngë popullore me qëllim bamirësie. Merita Sokoli ishte me rezultate të shkëlqyera në shkollë dhe për të mbrojtur diplomën kishte zgjedhur dhe po punonte me arien “Bohema”, diplomë që ajo nuk mundi ta mbronte për arsye të së ashtuquajturës “Luftë”, që solli si rezultat mbylljen e rrugëve.

Në vitin 1944, këndoi në Radio Tirana së bashku me Tefta Tashkon, Marie Krajen, Viktori Xhaçkën, etj. Në vitin 1945, me talentin e rrallë që dispononte u aktivizua edhe në Teatrin Popullor, përkrahë emrave të njohur që kanë bërë histori, si Naim Frashërit, Lazër Filipit, Prokop Mimës, Liza Vorfit, etj. Por momentet e bukura dhe me shumë perspektivë që Merita po niste u  ndërprenë në mes nga regjimi komunist i sapoinstaluar.

Në maj të vitit 1947, ajo u arrestua së bashku me të bashkëshortin, Tika Tezha dhe e dënuan me burgim për agjitacion e propagandë si “armike të popullit”.

Bashkëpunëtorët artistikë e dinin pafajësinë e saj, por askush nuk guxonte të fliste, po ta bënte do ta pasonte atë në qeli. Torturat dhe mundimet e tmerrshme në burg i kaloi së bashku me kundërshtaret tjera të pushtetit, Sabiha Kasimati, Rita Koci, Musine Kokalari, Diti Biçaku, etj. Tmerri i burgut, dëbimeve dhe internimeve e shoqëruan tërë jetën së bashku me të shoqin dhe djalin e vetëm, Didin.

Pas daljes nga burgu e internuan në Kavajë së bashku me familjen. Merita jetoi me qira në lagjen nr. 5 dhe punoi në Ndërmarrjen Komunale në Kavajë. Në Kavajë, ajo nderohej nga të gjithë, e njohën mirë prandaj e deshën aq shumë.

Merita jetoi në Kavajë deri në vitin 1993, kohë kur emigroi në Amerikë me të birin dhe familjen e saj, por vuante nga tronditje mendore që ia shkaktuan zhurma e makinave dhe sirena e policisë, zhurmë e cila e bënte gjithmonë të rijetonte momentin e arrestimit.

Merita në fund të jetës së saj u jetë e sëmurë nga kanceri i mushkërive dhe vdiq më 4 nëntor të vitit 2007.