Mënyra se si Covid-19 ndryshoi botën

0
115

Viti 2020 u “pushtua” nga pandemia e koronavirusit, pandemia më e keqe që bota ka parë në 100 vjet. Covid-19 ka shkaktuar më shumë se 75 milionë raste dhe 1.6 milionë vdekje në gjithë botën.

Sëmundja ka prekur pothuajse çdo aspekt të jetës, nga puna dhe shkolla në aktivitetet e përditshme, si blerja e ushqimeve, madje edhe veshjeve tona.

Këtu janë vetëm disa nga mënyrat se si pandemia ndryshoi botën gjatë vitit 2020.

1 – Fjalor i ri

Një numër fjalësh dhe frazash të reja hynë në leksikun e përgjithshëm në 2020-ën.

Na thanë se duhet të praktikonim “distancimin social” ose të qëndronim të paktën 2 metra larg, në mënyrë që të “rrafshojmë kurbën”. Edhe vetë emri i sëmundjes, “Covid-19”, është një term i ri, i cilësuar zyrtarisht si sëmundje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 shkurt.

2 – Garderoba

“Aksesori” i domosdoshëm i vitit 2020 ishte një copë e vogël pëlhure, që vendosej rreth fytyrës.

Maskat mjekësore ishin në mungesë në fillim të vitit dhe kjo bëri që njerëzit t’i qepnin ato vetë ose t’i sajonin në shtëpi.

Më pas, kompanitë filluan të prodhonin linja të tëra me maska dhe tani, s’mund të dalim nga shtëpia pa to.

3 – Ankthi dhe depresioni

Pandemia shkaktoi një dëm serioz në shëndetin mendor të njerëzve. Një studim i botuar në gusht nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) zbuloi se nivelet e ankthit, depresionit dhe mendimeve vetëvrasëse u rritën në mes të pandemisë.

Studimi nuk mund të përcaktojë arsyen e rritjes së problemeve të shëndetit mendor, por faktorët që lidhen me pandeminë, të tillë si izolimi social, mbyllja e shkollës dhe universiteteve, papunësia dhe shqetësimet e tjera financiare, si dhe kërcënimi i vetë sëmundjes, mund të luajnë një rol, thanë autorët.

4 – Konsumi i alkoolit gjatë pandemisë

Një efekt tjetër anësor i pandemisë ishte rritja e konsumit të alkoolit. Një studim i botuar në tetor në revistën JAMA Network Open zbuloi se konsumi i alkoolit në Shtetet e Bashkuara u rrit me 14% gjatë mbylljes së vendit nga pandemia.

Në veçanti gratë raportuan rritje shqetësuese të konsumit të lartë të alkoolit.

5 – Normalja e re

Ndërsa bizneset filluan të hapeshin pas bllokimeve fillestare, njerëzit kishin nevojë të përshtateshin me një normale të re për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së sëmundjes nga aktivitetet e përditshme. Bizneset zbatuan politikat universale të maskave. Darka konsumohej vetëm në ambiente të hapura dhe tubimet e mëdha u ndaluan plotësisht.

6 – “Thashethemet” e shfrenuara

Pandemia ka gjeneruar një numër të madh keqinformimesh.

Një studim i botuar në 10 gusht, në Revistën Amerikane të Mjekësisë Tropikale dhe Higjenës, zbuloi se pandemia ka nxjerrë më shumë se 2,000 thashetheme, teori konspirative dhe raporte diskriminimi.

Një informacion i tillë i rremë mund të ketë pasoja serioze. Shumë prej këtyre teorive lidhen me mijëra shtrime në spital dhe qindra vdekje.

7 – Këlyshët e pandemisë

Me qëndrimin në shtëpi për një kohë të gjatë, shumë njerëz vendosën të merrnin “një mik me gëzof” për t’i shoqëruar.

Pandemia ka ndikuar për mirë në birësimet e kafshëve shtëpiake, veçanërisht në birësimet e qenve.

Dyqane kafshësh dhe vende strehimi raportojnë një rritje të aplikimeve për birësim të kafshëve shtëpiake.

Ky është një lajm i mirë, jo vetëm për kafshët, po edhe për pronarët e tyre, sepse shumë studime tregojnë për përfitime të mëdha të shëndetit mendor të pronarëve.

8 – Mbyllja e shkollave

Pyetjet rreth mbylljes së shkollave, sa kohë duhet të qëndrojnë mbyllur, si do rihapen etj, kanë qenë pjesë e shumë debateve.

Sondazhe të ndryshme tregojnë se 9 në 10 prindër janë të shqetësuar se fëmija i tyre do të mbetet mbrapa me shkollën, për shkak të mbylljes nga pandemia.

9 – Ulja e emetimeve

Bllokimet e koronavirusit, të cilat ngadalësuan nxitimin dhe zhurmën normale të qyteteve, ulën ndjeshëm emetimet e dioksidit të karbonit në të gjithë botën.

Një studim i botuar më 19 maj, në revistën Nature Climate Change, zbuloi se emetimet ditore globale të dioksidit të karbonit ranë me 17% në fillim të vitit 2020, krahasuar me nivelet në 2019-ën.

Kjo është një nga rëniet më të mëdha të regjistruara në histori. Sidoqoftë, kjo rënie e përkohshme nuk është aspak e mjaftueshme për të zhbërë efektet e dëmshme të ndryshimeve klimatike të bëra nga njeriu.

10 – Vaksina e re

Zhvillimi i një vaksine të re normalisht kërkon vite deri në dekada, por në një arritje të jashtëzakonshme, studiuesit arritën ta krijojnë vaksinën kundër koronavirusit, në vetëm më pak se 12 muaj.

Kur filloi 2020-a, Covid-19 dhe virusi që e shkakton atë, SARS-CoV-2, ishin të panjohura për shkencën, por sapo virusi u identifikua, shkencëtarët vepruan shpejt për të filluar zhvillimin e një vaksine.

Dy vaksinat e miratuara, Pfizer dhe Moderna, përdorin molekula të njohura si mARN për të stimuluar një përgjigje imune kundër koronavirusit, duke shënuar herën e parë që çdo vaksinë e mARN është autorizuar për përdorim tek njerëzit.

Vaksinat u cilësuan si “një përparim i jashtëzakonshëm shkencor”.

Burimi: Live Science, Anabel