“Mbretëresha që më çmend, do me lërë-a shpejt a von”

0
143

Nga Lasgush Poradeci

Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lërë-a von a shpejt,
Do me lërë-a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u delir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lërë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.

E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do me lërë-a shpejt a von.

Do më lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon.

Do me lërë…A! po si –
Qoftë-aherë-ose tani –
Do të qaj aq dashuri
Që të humb me mall te ti?