“Mbi katër mijë banorë nuk mund të kthehen në banesat e tyre”

0
45

Ministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Olta Xhaçka, në një konferencë për media ka thënë se operacionit të kërkim-shpëtimit po i vjen fundi dhe se prioritet mbetet që të garantohet strehim, ushqim dhe kujdes për çdo qytetar që ka mbetur pa strehë. Ajo ka theksuar se këto ditë janë të vështira dhe se kanë testuar të gjithë.

“Por, lajmi i mirë është se pavarësisht se situata është ende aktive, fuqia e goditjeve kanë një trend të dukshëm zbritës dhe shpresojmë që të gjitha këto të jenë shenjat që kësaj situate sizmike po i vjen fundi. Këto ditë kanë qenë vërtet të rënda e të vështira. Kanë qenë ditë tragjike, që na kanë testuar të gjithëve dhe jam shumë krenare që shqiptarët, kudo, në zonat e prekura, dhe ato jo të prekura, në rajon e kudo në botë, e kaluan këtë test në mënyrën më dinjitoze që ka fituar admirimin e botës, me solidaritetin e bashkëpunimin e tyre”, ka thënë ajo.

Ministrja ka folur edhe për dëmet që kanë shkaktuar tërmetet, transmeton Telegrafi.

“Jetët e humbura, 48 prej të cilëve deri tani janë të identifikuar nuk do të kthehen dot më. Kjo ngjarje ka pasur një kosto aq të rëndë në jetë të prera në mes, sa do të jetë e paharrueshme për të gjithë ne sa të kemi jetë. Por, ka pasur edhe një kosto e pasoja jashtëzakonisht të rënda materiale, në shtëpi e banesa të shkatërruara. Dhe sot, kur operacioni i kërkim shpëtimit po vjen drejt fundit, prioriteti ynë është të garantojmë strehimin, ushqimin, kujdesin për çdo qytetar që sot ka mbetur pa strehë”, ka deklaruar ajo.

Xhaçka bëri thirrje te qytetarët që të mos e rrezikojnë vetën dhe familjen e tyre duke u kthyer  në shtëpitë e dëmtuara.

“Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, siç janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezhë, Shëngjin apo Berat apo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptar e të huaj”, është shprehur Xhaçka.

Tutje ajo ka theksuar se, sipas vlerësimeve paraprake në terren, janë mbi katër mijë banorë që sot e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre, dhe se  ky numër me shumë gjasa do të ndryshojë në orët në vijim. Ministrja ka shtuar se do të punojnë për t’i larguar banorët nga kampet me çadra e për t’i çuar ata në strehim më të sigurt.