“Luftë për ekzistencë… do të kthesh kokën nga e majta në të djathë, por e kotë”

0
79

Nga Qëndresa Zaimi Bojaxhiu

Ti veç sa dole nga tri errësirat,
të qarat tua dëgjohen gjithandej, dhe nuk e kupton dot se çbëhet me ty,
të bartin prej vendit në vend,
por ky nuk është shqetësimi yt…
Luftë për ekzistencë… do të kthesh kokën nga e majta në të djathë, por e kotë.
Kërkon të ngopësh atë të vocklin stomak sa kokrra e qershisë , kërkon qumështin e asaj… asaj që duhej ta kishte epitetin, por ja që nuk ndodhi! E as që nuhate parfumin e saj të quajtur nënë!
Ditët kalojnë, mbase edhe ca vite… do ta fitosh kujdesin, dhe zemra do të të mbushet nga zbrazdësirat që i kishe.
Por… kur të vij vala e madhe, ti qëndro dhe bëhu stabil, se do të fillosh të dëgjosh shushurimat e të tjerëve që për ty do të jenë të pakuptimta, por prap do të vazhdosh jetën si më parë. Dalë ngadalë, këto shushurima do të të rëndojnë shpirtin edhepse nuk e ke të qartë se për çfarë në fakt bëhet fjalë! Kjo do të ta zgjoj kureshtjen edhe më shumë, ato shushurima do të të bëhen zhurmë e ushtimë në brendinë tënde.
Kur ta marrësh guximin për hapin përpara, merr frymë thellë e thellë …
Ditën që ti pyesësh për vetën se “kush jam unë” , do të jetë dita e melankolis…
Dhe kur të të thuhet “ty të kemi marr”… kupto se ky është shpëtimi yt !
Mbase do t’ja plasësh vajit, edhe atë me të madhe, … por e qajtura do të të çliroj në thellësi për gjitha ato vite që të kanë mbushur gjoksin.

Oh i njoh ato të qajtura si elegji, dhe të rrahurat e shpejta të zemrës sate. Sa shumë do të doja lotët tona të lidheshin nyje, sepse loti yt është loti im, dhe loti im është loti yt. Sa e sa pyetje do të ta kaplojnë mendjen… por në anën tjetër ti vet e di se dalë ngadalë fillove rrugën e çlirimit. Sado që lotët tua atakohen në mjekrën tënde përplot dridhje, ti aty do të duash vetëm një gjë… përqafimin. Do t’përqafoja ashtu siç u përqafova, e të të shtrëngoja deri në rraskapitje. Por më beso, e gjith kjo do të të kaloj, e di unë! Kupto se nuk ngrihesh dot po nuk u rrëzove! Durimi, një thesar në vete!
Trego maturi…

Ke dy rrugë në këtë rrugëtim !

Ti do të jesh ai/ajo që do të zgjedhësh se si do të jetë pas kësaj!
A dëshiron të jesh mosmirënjohës e përbuzës ? E t’i mbyllësh dyert e zemrës sate ?
Apo …
Të jesh mirënjohës, se ti ke atë që shumë të tjerë nuk kanë ?!? E ndoshta duke kuptuar vetën, gjendjen, do t’a kuptosh tjetrin (jetimin) që kurrë nuk pati atë që ke ti! ! Të fitosh epitetin e prindit! Fëmijët e tu të kenë atë që ti nuk kishe, prindër. Brenda dhimbjes sate, gjeje forcën dhe vazhdo. Të Madhërishmin Zot, falendero! Bëhu shpresë e kënaqësi ndaj atyre që të dhan dashuri prindërore, sepse ata të zgjodhën ty, vitet e tyre t’i kushtuan ty! Ata nuk të lan vetëm kur ti ishe mëse i/e nevojshëm/me, tashmë është radha ytë të tregosh se kush je ti, pra reciprocitet! Bëhu vepërmirë për këdo, dhe asnjëherë për mirësinë që bëre mos u pendo!
Tashmë e kaluara nuk ka rëndësi… e as nuk ka rëndësi se me çfarë syri të tjerët të shohin ty! ‘O janë mirënjohës ndaj teje ‘o jo, rrugëtimi yt të jetë i shenjtë! Nuk të duhen fjalët, mjafton veprat tua të flasin. Mbylli sytë dhe medito, dashurinë ndaj të Madhërishmit kurrë mos e largo. Shpreso në Atë që jep shpresën e përherëshme!

Dhe në fund…

Ti (‘o qe i birësuar ‘o jo) rrëfe të tjerëve se rrugëtimi yt është i shenjtë!

Ti u trego se cfarë është dhe si ndërtohet familja!