Lirohet nga akuza Lushtaku, në rastin e arratisjes nga QKUK, ndërsa dënohet me 12 mijë euro gjobë për arratisjet e tjera

0
267

Gjykata Themelore e Prishtinës- Departamenti për Krime të Rënda, shpall aktgjykim lirues në rastin e arratisjes nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ku për arratisje po akuzohet ish-kryetari i Skenderajit, Sami Lushtaku.

Gjykata e ka shpallur të pafajshëm Lushtakun, për arratisjen nga QKUK në maj të vitit 2014, ndërsa e ka shpallur fajtor për dy arratisjet e tjera.

Lajmin për Drejtësia Sot, e ka konfimuar mbrojtësi i të akuzuarit Lushtaku, avokati Artan Qerkini, i cili tha se gjykata për arratisjen e dytë dhe të tretë e ka dënuar Lushtakun me 12 mijë euro gjobë.

Tutje, i njëjti shtoi se janë dënuar me gjobë edhe gardianët të cilët e kanë ndihmuar Lushtakun në arratisjen e 22 shtatorit, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena të cilët u dënuan me nga 1 mije euro secili veç e veç.

Ndërsa, i pafajshëm nga kjo gjykatë është shpallur i biri i Lushtakut, Mërgim Lushtaku, për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale në Prishtinë të përgaditur nga prokurori i EULEX-it Romulo Mateus, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale si arratisje e personit të privuar nga liria, pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare, frikësim gjatë procedurës zyrtare, si dhe për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet se për arratisjen e Lushtakut nga QKUK-ja akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Tutje thuhet se, për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Ndërkaq, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.