Liridona Asllani, juristja me prejardhje shqiptare që po ofron ndihmë juridike falas për shqiptarët

0
427

Liridona Asllani është ndër pak shqiptarë, të cilët e ushtrojnë profesionin e juristëve në Zvicër. Ajo i ka mbaruar studimet bachelor e master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bazelit, më të vjetrit në Zvicër.

Veçoria e Liridonës qëndron tek fakti se, ndonëse është rritur në Zvicër, ajo asnjëherë nuk e ka harruar prejardhjen e saj, duke ofruar gjatë tërë kohës ndihmë e këshillim falas për familjet shqiptare që jetojnë atje.

“Shumë shqiptarë kanë nevojë për ndihmë juridike, sidomos familjet të cilat nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht, me gjuhë apo me të arritura personale. Për mua jo vetëm se është obligim moral njerëzor, por është kënaqësi t`i ndihmoj pjesëtarët e komunitetit tonë në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme dhe hapjen e dyerve të zhvillimit personal dhe familjar”, u shpreh ajo.

Liridona tregoi se ka për synim që në kuadër të portalit albinfo.ch, të krijojë një kënd të ashtuquajtur |Këndi i Juristit”, ku të gjithë lexuesit do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje, për të cilat do të marrin përgjigje falas, që ndërlidhen me çështjet juridike./albfem