Lajçak vjen në Kosovë më 1 mars

0
87

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do të vijë më 1 mars në Kosovë për një vizitë treditore.

Lajçak do ta nisë vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor nga Kosova ku do të qëndrojë nga 1 deri më 3 mars, derisa më pas do të shkojë në Serbi nga 3 deri më 4 mars.

Emisari Special i BE-së për dialogun do ta vizitojë edhe Malin e Zi, si pjesë e mandatit të tij rajonal, nga 4 deri më 5 mars.

Ai pritet të takohet me udhëheqësit politikë të tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.

Diplomati sllovak e kishte paralajmëruar vizitën e tij në Prishtinë duke thënë se do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i cili bashkë me Vjosa Osmanin dolën fitues të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Në Kosovë nuk do të mbetet më krejt njëjtë, sepse së shpejti do të kemi Qeverinë dhe Kryeministrin e ri dhe kjo qeveri do të ketë mandat shumë të fortë. Kjo është situatë e re. Së shpejti unë vizitoj Prishtinën dhe Beogradin. Në Kosovë do të flas me fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti, rreth bashkëpunimit tonë dhe vazhdimin e dialogut”, kishte thënë ai për Radio Televizionin e Malit të Zi.