Kuvendi formon Komisionet Parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka votuar për formimin e 14 Komisioneve Parlamentare – dhjetë komisione funksionale dhe katër të përhershme.

Me 90 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, u votua propozimi për formimin dhe funksionalizimin e këtyre komisioneve, tetë prej të cilave do të udhëhiqen nga partitë në pozitë dhe gjashtë nga partitë opozitare.

Paraprakisht u votua mocioni i PDK-së për Rregulloren e Kuvendit, për t’i hapur rrugë votimit të komisioneve.

“Konfirmohet vlefshmëria e Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe për legjislaturën e shtatë, deri në miratimin e rregullores së re, me përjashtimin e nenit 69, pika 4” thuhej në pikën e vetme të këtij mocioni.

Gjatë qeverisjes së kaluar ishin funksionale 16 Komisione Parlamentare, ndërsa në seancën e sotme ky numër u zvogëlua në 14 me votimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit, aq sa kërkohet për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.

Vendimi për këto komisione u miratua në pjesën e dytë të seancës së parë të rregullt të Kuvendit të Kosovës, pasi ne pjesën e pare votimi dështoi në mungesë kuorumi.

Pjesës së dytë të seancës i parapriu mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para ku morri pjesë PDK-ja, ku u arrit konsensusi lidhur me Komisionet Parlamentare.