Kurti vizitoi komunat e Therandës dhe Shtimes

0
55

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar vizitat nëpër komuna. Sot, ai bashkë me ministren në detyrë të Administratës dhe Pushtetit Lokal, znj. Emilija Redžepi, kanë takuar Kryetarin e Komunës së Therandës, z. Bali Muharremajn dhe Kryetarin e Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajlin në komunat e tyre respektive.

Në Therandë, kryetari Muharremaj njoftoi se gjendja është duke u menaxhuar suksesshëm dhe se të prekurit me virusin corona janë duke u monitoruar në vazhdimësi. Sa i përket masave të reja të lëvizjes, ato po respektohen dhe po tregohen shumë efektive.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, z. Ismajli tregoi se në komunën e tij deri tani ka qenë vetëm një rast i prekur me COVID-19, i cili është shëruar. Masat e qeverisë dhe rekomandimet e profesionistëve të shëndetësisë për mbajtjen e distancës, pastërtisë dhe më të rëndësishmen qëndrimit në shtëpi janë arsyet e menaxhimit të mirë të kësaj situate në këtë komunë.

Sukseset nuk duhet të na relaksojnë. Ky virus është tinëzar, prandaj ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Vetëm me disiplinë maksimale fitojmë. Duhet të jemi bashkë dhe të ndarë: bashkë në luftën kundër virusit, të ndarë nëpër shtëpitë tona për të fituar kundër virusit.