Kujdes nga antibiotikët, duhet përdorim racional i tyre

0
924

Mësoni se çka apelojnë specialistët e shëndetësisë dhe pse është i nevojshëm përdorimi me kriter i antibiotikëve

Përdorim me kriter të antibiotikëve dhe vetëm me përshkrimin e mjekut të familjes; ky është apeli që specialistët e shëndetësisë përcjellin për të gjithë qytetarët. Apeli i drejtohet edhe personelit mjekësor, për të qenë i kujdesshëm në përshkrimin e antibiotikëve në recetë.

Antibiotikët duhet të merren vetëm me përshkrimin e mjekut dhe jo duke u drejtuar në farmaci pa konsultën me të. Kjo është dhe mënyra më e mirë për shmangien e rezistencës së antibiotikëve, pohojnë specialistët.

Rezistenca e bakterieve ka ardhur si pasojë e përdorimit të paarsyeshëm e në masën përtej normales të antibiotikëve. Shtimi i mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve është kërcënim për jetën e pacientëve në spitale për shkak se infeksionet e mbivendosura me baktere rezistente zgjasin ditët e qëndrimit të pacientëve në spitale, duke rritur koston e trajtimit; sëmundja vështirësohet dhe rritet vdekshmëria, ndërsa përzgjedhja e antibiotikëve të duhur bëhet më e vështirë dhe shpesh mjekët janë të detyruar të fillojnë terapinë me më shumë se dy antibiotikë. Ndërkohë, edhe pse jo të plota, studimet flasin për një keqpërdorim të antibiotikëve deri në 50 % të rasteve.

Sa i përket statistikave, ato ofrojnë një luhatje jo të vogël mes vendeve të Europës. Sipas organeve kompetente të mbikqyrjes shkalla më e ulët e rezistencës vihet re në vendet e Skandinavisë, Balltikut dhe Holandë (1-10%). Në krah të kundërt si shkallë më e lartë është Ballkani, Italia, Spanja e Portugalia (30-50%).

Ndërsa në vendin tonë, edhe pse jo të plota, studimet flasin për një rezistencë ndaj antibiotikëve që shkon deri thuajse dyfish krahasuar me mesataren europiane. Masat për promovimin e përdorimit të drejtë të antibiotikëve janë edukimi i vazhdueshëm i mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor, masat kufizuese për përdorimin e antibiotikëve në spitale pa kriter, si dhe këshillimet me infektologë e mikrobiologë, udhëzuesit dhe protokollet për antibiotikë në spitale, të cilat bazohen në evidence, monitorimi i rezistencës dhe përdorimit të antibiotikëve në spitale për të udhëzuar terapinë empirike tek pacientët e sëmurë rëndë, dhënia e profilaksisë me antibiotikë në kirurgji në kohën dhe kohëzgjatjen e duhur, etj.

Këshilla për qytetarët

 

Vizitohu tek mjeku para se të marrësh antibiotikë për të luftuar sëmundjen.

Mos u mjeko me asnjë antibiotik pa u informuar më parë për efektet anësore të tij apo të padëshiruara.

Jo gjithmonë efektet kuruese të antibiotikut janë më të rëndësishme sesa efektet anësore të tij në shëndet.

Mos merr asnjëherë antibiotik në farmaci pa recetën e mjekut.

Antibiotikun ka të drejtë ta rekomandojë vetëm mjeku dhe asnjëherë farmacisti pa u konsultuar me mjekun.

Rezistenca e mikrobeve ndaj antibiotikut bën që infeksionet të shndërrohen në sëmundje shumë më të rënda për shëndetin dhe shumë më rrënuese për xhepin e qytetarit.

Kujdes kur shtroheni në spital! Kërkoni pa u lodhur dhe kontribuoni për nivel të lartë higjienike.

Larja e duarve me ujë e sapun si dhe dizefenktimi i tyre me alkool ul rrezikun e infeksioneve dytësore në spitale.

Mos pranoni që t’ju shërbejnë në spital apo poliklinikë mjekë apo infermiere pa doreza dhe pa maska.

Mos lejoni njerëzit tuaj të afërm të hyjnë në spital për t’ju vizituar jashtë orarit të vizitave. Ata janë burim i sigurt infeksioni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu