Krejt çfarë tha Vjosa Osmani në Akademinë kushtuar Komandantit Legjendar “Adem Jashari”

0
328

E nderuara familja Jashari,

I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,

​I nderuar Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë Veriore z. Talat Xhaferi,

Përfaqësues nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut,

Të nderuar deputetë e ministra,

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Kosovës;

Të nderuar bashkëluftëtarë të Adem Jasharit,

Zonja dhe zotërinj,

 Si në çdo përvjetor, sot jemi këtu në 22 vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari, i cili më përpjekjen e tij për liri u shndërrua në referencë universale të lirisë.

Kryengritësi para të cilit përkulemi sot, betejën për liri e nisi pikërisht nga shtëpia e tij, e cila u bë fortifikatë e rezistencës ndaj shume sulmeve të forcave serbe përgjatë disa dekadave. Sulmet e vazhdueshme ndaj familjes Jashari, dëshmonin çdo ditë e më shumë synimet gjenocidale të shtetit serb.

Adem Jashari e mbrojti pragun e shtëpisë, por shtëpia e tij reale ishte Kosova e familja e tij ishte i gjithë populli liridashës i Kosovës.  Kosova për të cilën ai dhe familja e tij sakrifikuan që sot ta kemi si shtet sovran e të suksesshëm, e të cilën çdo ditë e më shumë po përpiqemi ta konsolidojmë, ta bëjmë të tillë çfarë deshi ai, familja, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kur në dhjetorin e vitit 1997, shtëpia e Shaban Jasharit në Prekaz u sulmua nga forcat serbe, presidenti historik, Ibrahim Rugova, u apelonte qytetarëve që ta mbronin pragun e shtëpisë.

Pothuajse një vit më pas, e njëjta shtëpi, sërish u përballë më një sulm tjetër dhe për të cilin në orët e hershme të mëngjesit kishte raportuar Qendra Për Informim e Kosovës (QIK) dhe ky lajm bëri jehonë në mediat e të gjithë botës demokratike duke dëshmuar kështu për vuajtjet dhe për sakrificën e popullit tonë të shtypur për dekada me radhë.

Siç raportonte në atë kohë, gazetari e më pas heroi Enver Maloku: “Të llahtarshme dukeshin pamjet e trupave të fëmijëve të vrarë. Zenë Jasharit, një 48 vjeçari i janë vrarë: Blerimi (5), Bujari (12), Avdullahu (15) dhe gruaja Bahtije (43) e cila ishte shtatzënë”.

Të nderuar pjesëmarrës,  

Njëzetë e dy vite pas, ne frymojmë shlirë. Ndërkaq familja Jashari në krye me komandantin Adem Jashari është shndërruar në ikonë të lirisë.

Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit 1998 në Prekaz ishin vazhdimësi e përpjekjes së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Sot, ne jo vetëm që i kujtojmë, por edhe jemi krenar që familja e komandantit Adem Jashari është përtërirë.

Ademi i ri, Shabani, Zarifja, Zahidja dhe të gjithë pasardhësit e tjerë tashmë shikojnë kah e ardhmja. Ata presin të jetojnë në një Kosovë më të mirë dhe ne ua kemi borxh ta bëjmë atë.

Familja Jashari vërtetë përbën një rast të rrallë në historinë njerëzore. Me rezistencën dhe sakrificën e saj, ajo ndikoi në ndërrimin e rrjedhave të historisë. Kjo rrjedhë historike e prodhoi 12 qershorin e vitit 1999, kur Kosova u çlirua dhe më pas 17 shkurtin e vitit 2008, kur Kosova u shpallë Republikë e pavarur.

Shteti i pavarur i Kosovës, po përballet me sfida, por po ecën me ritëm drejt konsolidimit dhe perspektivës euro-atlantike.

Siç e mbrojtën heronjtë tanë pragun dhe shtëpinë, sot sërish jemi para një sfide të madhe. Ta ruajmë dhe ta forcojmë shtëpinë tonë të quajtur Kosovë. Ajo ka nevojë për rend, ligj dhe për miq!

Në këtë përpjekje drejt një të ardhme më të mirë, secili duhet të dijë se respekti për ata që ranë për këtë vend nuk është vetëm obligim, por mënyrë e të jetuarit dhe traditë. Nderimi më i madh që sot mund t’i bëjmë heronjve e të rënëve, është duke punuar me nder e me përgjegjësi për të gjallët. Kjo, do të jetë përmbushje e amanetit të dëshmorëve tanë.

Kosova e sotme është më e mirë se e djeshmja, do të jetë edhe më e mirë çdo ditë. Këtë mund ta bëjmë vetëm bashkërisht!

I bekuar qoftë kujtimi për familjen Jashari dhe të gjithë heronjtë dhe të rënët për liri! 

E bekuar qoftë Republika e Kosovës!