Kosova hapi pavijonin në Bienalen e Venedikut

Në Venedik të Italisë ka nisur punimet edicioni i 16-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës së Bienales së Venedikut ku edhe zyrtarisht Kosova ka hapur Pavijonin e saj “Qyteti është gjithandej”, të kuratores Eliza Hoxha.

Hapjen zyrtare e bëri Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i cili tha se Kosova është dëshmuar në skenën kulturore.

“Republika e Kosovës edhe pse një shtet i ri për nga themelimi dhe i vogël për nga sipërfaqja, me prezencën e saj në skenën kulturore e artistike ndërkombëtare në këto vitet e fundit ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore. Duke qenë se Kosova në vazhdimësi ka prodhuar lajme për sukseset e artistëve tanë kudo në botë, kjo ka ndihmuar edhe në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë si dhe në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën”, tha ministri.

Më tutje Ministri Gashi falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin për mundësimin hapjes së Pavijonit të Kosovës, posaçërisht Jehona Shytin komisionere dhe kuratoren Eliza Hoxha për ideimin dhe realizimin e Pavijonit të Kosovës.

“Në kuadër të temës së përgjithshme të Bienales së Venedikut për vitin 2018 “FREESPACE” apo HAPESIRE E LIRE, Eliza ka përzgjedhur që Kosova të prezantohet me rrëfimin për vitet e 90-ta. Një rrëfim ky i cili është shume unik në sensin e mobilizimit dhe mbijetesës kolektive te shqiptareve te Kosovës ne vitet e -90-ta, i cili aq sa është i rëndësishëm të ndahet me të tjerët në kontekstin global”, shpjegoi ai.

Të pranishëm në këtë hapje ishin edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, Ministrja e Mjedisit dhe Plabifikimit Hapsinor, Albena Reshitaj, artistë, arkitekt të shumtë vendorë e ndërkombëtar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli përshëndeti hapjen e Pavijonit të Kosovës, duke e komentuar instalimin e pasqyrave.

“Artistja Eliza Hoxha , arriti ta bartë një pafundësi të shpresave dhe të hapësirës, dhe në të njëjtën kohë mundësitë dhe ambiciet që i kemi ne si komb. Kosova po ecë përpara. Kosova nuk është më e kufizuar.” Kjo e fundit i referohej kufizimit të cilin e kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës përgjatë të ‘90-tave”, tha ai.

Kuratorja e Pavijonit të Kosovës, Eliza Hoxha theksoi se Pavijoni i Kosovës është një shtëpi e cila përbrendësoi funksionet publike duke e kompensuar qytetin. Ato vite sjellin në pah solidaritetin, mobilizimin dhe aktivizmin e përgjithshëm kolektiv në ëndrrën për Kosovën si hapësirë e lirë.

Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut, do të qëndrojë i hapur deri më 25 nëntor.