Kontributi i harruar i grave në zbulimin e vaksinës së poliomielitit

0
43

Ka shumë ngjashmëri ndërmjet pandemisë së COVID-19 dhe shpërthimit të poliomielitit në vitet 1940 dhe 1950. Sidoqoftë, gjersa COVID-19 shfaq simptome më të rënda tek njerëzit e rritur, për aq sa dimë deri më tash, ekzistonte një ndjenjë e madhe dëshpërimi për ta zbuluar vaksinën për poliomielitin gjatë shekullit të kaluar, për shkak se kjo sëmundje prekte me shumicë fëmijët e vegjël.

Jonas Salk ishte i pari që zhvilloi një vaksinë efektive të poliomielitit në vitin 1955. Megjithatë, pa gratë shkencëtare, dhe studiueset e tjera në ekipin e tij, zhvillimi i vaksinës nuk do të ishte i mundur.

Historikisht, arritjet e grave në shkencë janë injoruar apo edhe janë përvetësuar nga kolegët e tyre burra. Për ta korrigjuar këtë, t’i kujtojmë gratë që e bënë të mundur vaksinën e poliomielitit me shpresë që ta vazhdojmë këtë njohje me vaksinën e ardhshme për COVID-19.

Elise Ward ishte në ekipin e Salk-ut që nga fillimi dhe ishte e njohur për aftësinë e saj për të rritur dhe mirëmbajtur shumë kultura qelizore, arritje shumë mbresëlënëse në botën mjekësore. Ajo rriti viruset “poliovirusë” në indet jo-nervore dhe zbuloi se indet e veshkave të majmunit ishin materiali më i mirë për t’i rritur këto viruse. Kjo ndihmoi në përshpejtimin e krijimit të vaksinës, por, përkundër kësaj, Salk nuk e pranoi përfshirjen e Ward ose studiuesve të tjerë në zhvillimin e vaksinës kur prezantonte në konferenca.

Në të njëjtën kohë, Dr. Isabel Morgan, virologe e famshme, gjithashtu bëri një përparim të rëndësishëm përgjatë punës së saj me vaksinën. Ajo ishte e para që injektoi me sukses vaksinën e virusit të vdekur në majmunë, gjë mundësoi që Salk ta vazhdonte punën e tij me vaksinën. Megjithatë, siç ende është rasti për shumë gra sot, Morgan vendosi ta linte karrierën e saj në shkencë pasi u martua, për t’u kujdesur për burrin, fëmijën dhe shtëpinë e saj. Ajo kurrë nuk e mori plotësisht njohjen e merituar. Largimi i saj nga kërkimi shkencor ishte padyshim një humbje e madhe për imunologjinë, shkencën dhe njerëzimin në tërësi.

Bernice Eddy, një shkencëtare tjetër, mund të kishte shpëtuar mijëra njerëz dhe të luante rol kritik në zhvillimin e vaksinave nëse ajo nuk do të ishte nënvlerësuar dhe anashkaluar nga kolegët e saj burra. Ajo identifikoi probleme të ndryshme tek njëra nga vaksinat para se ato të testoheshin tek njerëzit. Megjithatë, paralajmërimet e saj u injoruan. Si rezultat, qindra mijëra fëmijë u sëmurën akoma më shumë si pasojë e një doze të gabuar të vaksinës së Salk-ut. Po të merrej seriozisht, jetët e shumë fëmijëve mund të ishin shpëtuar. Përvoja e Bernice Eddy-t duhet të shërbejë si mësim dhe kujtim i një historie të gjatë të heshtjes dhe injorimit të grave në shkencë.

Gjersa Salk dhe ekipi i tij ishin të suksesshëm në zhvillimin e vaksinës kundër poliomielitit, është e rëndësishme të theksohet se pa punën e njerëzve si Bernice Eddy dhe Dr. Isabel Morgan, dhe miliona dollarëve të mbledhur nga organizatat e ndryshme të grave në ShBA, vaksina e poliomielitit nuk do të ekzistonte sot. Emrat e shumë grave humbën nga mbajtja e të dhënave të dobëta ose thjesht u hodhën poshtë për shkak të seksizmit.

Jo vetëm që gratë shkencëtare ishin të rëndësishme për zhvillimin e vaksinës së poliomielitit, por ato kishin rol esencial në zhvillimin e vaksinës. Pa kontributin e tyre zhvillimi i vaksinave nuk do të kishte ndodhur. Kështu, gjersa shohim drejt së ardhmes për një vaksinë kundër COVID-19, duhet të jemi të kujdesshëm për t’i kujtuar të gjithë ata dhe ato që ndihmojnë për ta bërë të mundur zbulimin e një vaksine të tillë./grazeta