Komuna ndan afro 15 mijë euro për “Handikosin” në Podujevë

Këshilltarët komunalë të Podujevës kanë miratuar propozimin e ekzekutivit për ta ndihmuar financiarisht Organizatën “Handikos-Podujeva”.

Rreth 15 mijë euro u janë ndarë kësaj organizate për një periudhë njëvjeçare për t’i kryer aktivitetet e tyre.

Propozimin për këtë ndihmë e ka prezantuar drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi. Ka thënë se të gjithë e dinë aktivitetin e saj.

Këshilltari nga LDK-ja, Agron Hyseni, ka thënë se kjo është një ndihmë e vogël në krahasim me nevojat e kësaj organizate.

“Grupi i LDK-së vlerëson angazhimin e Handikosit…Kjo shumë është për aktivitete ose për të mbijetuar. Me këto mjete ne jo vetëm që përmirësojmë jetën e atyre qytetarëve, por edhe imazhin tonë si Kuvend. Vlerësojmë se është një mbështetje e vogël në krahasim me nevojat që i ka kjo organizatë”, është shprehur Hyseni.