“Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar”

0
251

Kur Mitush Kuteli vizitoi Kosovën apo siç e quajti ai Shqipërinë e Jashtme në vitin 1943, u frymëzua për të shkruar poemën e famshme që mbeti një nga kryeveprat e tij, tash e sa vite.

Vitet e kaluara në mërgim e kishin bërë atë të ndjejë mall për Shqipërinë e për të gjithë vendet ku flitej shqip, më shumë edhe për Kosovën, Shqipërinë e Jashtme të tij.

“Dikur (1943) e vizitova Kosovën, këtë kopësht të lulëzuar të Shqipërisë së Jashtëme, dhe shpirti m’u mbush me gaz: në qytet flitej shqip, në katund flitej e këndohej vetëm shqip. A ka gaz më të madh për një njeri, që ka ngrënë njëzet e kusur vjet bukën e mërgimit se sa të “zbulojë” se me të vërtetë ekziston një Shqipëri e jashtëme”, janë fjalë të Mitush Kutelit pas vizitës në Kosovë.

Më poshtë ju sjellim poemën e famshme të Mitrush Kutetlit për Kosovën:

Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;

E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!

Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që vogëli.

Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulë-bardh e krye-lidh,
krye-lidh me një shami,
me tri shami;
për trimëri!

Jam eshtër-madh,
i vrazhdë jam
e bojalli-
jam’ plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
-Si s’ka njeri-
Për drejtësi
e për Liri!

Si gjithë Asimët
e gjith Qerimët
e Vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që vogëli;
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
dhe gllavnikët.

ma vranë,
Se urdhër dha Vojvodi
e Krali- vetë;
Të vritet.
Se ishte Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!

Dhe tokën që kisha nga Baba
nga Gjyshi
– rrënjë pas rrënje-
prej qindra vjet,
prej mijra vjet!
ma muarr. Ah!
ma muarr Vatanin
q’e desha si xhanin!

Ma muarr
me armë në duar,
– me gjak nëpër duar-
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shokë;
si sorrat!
për kërmë!

Oborrin ma muarr
gjer në shtëpi
dhe ngrehnë për vete shtëpi
në sytë e mi!

Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot;
mbeta pa dhe,
– bujk pa dhe,
bari pa kope-
këtu,
në dherin tim.

Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,
durova,-
Sa nuk duron njeri,
as perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i Kombit tim.

Më dhanë armë të vras
vëllanë
sipas kanunit
të gjakut…,
Po s’desha!
Dhe në e bëra,
ma falni;
Se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej!
Se vetëm andej
paska për ne
-Popull pa zot-
vend boll…

Po malli i Tokës s’më la,
po malli i Fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.

Dhe mbeta këtu,
i huaj,
– si qen!-
në vendin tim,
të Babës tim…

Mbeta raja,
ndënë raja
si për hata;

në uri
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.

Më thanë të ik n’Allbani,
– Vatan i ri
i Kombit tim-
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.

Po dot nga toka s’u ndava,
Dhe mbeta të jem,
ku jam
e ku do të jem!

Më thanë të shkoj në sheher
të shkjaut të madh
me sharrën më krah,
me kryet përdhe,
jaban
e beter;
portë më portë
derë më derë
i mjerë
e zemër- sterrë;
për një kotherrë
bukë,

Po malli i Vendit s’më la
e mbeta këtu,
raja
ndënë raja
të ha
një bukë- zeher
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres!
një tjatër mëngjes.

E dit për dit,
e net pas net,
e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjash;
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!

Po prita
dhe prita
të vijë dhe për mua
dita!

Tani,
tani,
Liri!

Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.

Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vojtjes
dhe të urrejtjes.

Me zemërim
me vrull të madh,
e bubullim
që s’ka mbarim.

Se vjete ti më çave
më ndave
më vrave!
armik- lugat!
armik- xhelat!

Ti bëre azape:- s’u tremba,
Ti ngrite kufire me gjemba
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!

Tani,
tani!
atje ku ti
o Mal i Zi!
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!

sot!
shkon,
e valon
parmenda!

T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u zhduk
si në ujë.

Ta shemba armik kufinë
-derë burgu-
dhe është tani
si ish!
-si do të jetë;-
përjetë;
Lëndinë!

I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!

Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;

Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…

Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…

Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….

Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!

Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.

Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj….
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.

Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot.

Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!

Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.

Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!

Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!

Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…

Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.

Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

1943.