Kjo ‘pandemi’ është e pranishme prej dekadash dhe shumë më e rrezikshme se Covid

0
200

Pandemia e koronavirusit, e cila shkakton sëmundjen e Covid, ka qenë në qendër të vëmendjes së autoriteteve shëndetësore për më shumë se një vit, por nga ana tjetër, prej dekadash një sëmundje shqetësuese po prek miliona njerëz, shumë më tepër se Covid: Diabeti.

Diabeti si pandemi, në kuptimin e dytë të fjalës (dukuri që përhapet shpejt në një masë të madhe njerëzish, jo sëmundje ngjitëse) prek njerëzit në të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se diabeti prek 422 milionë (1 në 11 të rritur) në të gjithë botën; pra tre herë më shumë njerëz se koronavirusi.

Diabeti “tashmë është një epidemi e plotë e dinamikës së tillë që numri i njerëzve me diabet është pothuajse katërfishuar në 30 vitet e fundit”, tha për Euronews Dr. Gojka Roglic, eksperte mjekësore për menaxhimin e diabetit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Vdekjet nga diabeti u rritën me 70% në të gjithë botën midis periudhës 2000 dhe 2019, me një rritje prej 80% të vdekjeve te meshkujt. Në Europë, 60 milionë të rritur kanë diabet (1 në 10 europianë), i cili pritet të rritet në 69 milionë deri në vitin 2045.

Diabeti jo vetëm që rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme, por gjithashtu mund të shkaktojë goditje, verbëri, sulme në zemër, dështim të veshkave dhe amputim.

Euronews raport se më 14 prill, në të njëjtën ditë kur insulina u zbulua 100 vjet më parë, OBSH do të hapë një axhendë diabeti të quajtur Global Diabetes Compact, e cila do të mbështesë vendet në zbatimin e programeve dhe synon të përmirësojë aksesin në ilaçe dhe teknologji, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Diabeti në Shqipëri

Sipas raporteve në prill të vitit 2019, çdo vit, numërohen rreth 4,000 raste të reja që diagnostikohen me diabet. Sipas përllogaritjeve të Monitor në 2017-n, numri i vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet endokrine të lidhura me ushqimin ishte 110 për 1 milion banorë. Në këtë grup përfshiheshin edhe sëmundje të tjera që lidhen me sistemin endokrin, por sipas mjekut endokrinolog, Dashamir Gjergji, peshën më të madhe e patën të sëmurët me diabet.

Shenja paralajmëruese të diabetit

Simptomat e diabetit mund të ndodhin me kalimin e kohës ose mund të shfaqen shpejt. Llojet e ndryshme të diabetit mund të kenë shenja paralajmëruese të ngjashme ose të ndryshme. Disa shenja të përgjithshme paralajmëruese janë:

– etje ekstreme
– gojë e thatë
– urinim i shpeshtë
– uri
– lodhje
– sjellje nervoze
– shikim i turbullt
– plagët nuk shërohen shpejt
– kruajtje e lëkurës ose lëkurë e thatë
– infeksione maja